Zv.drejtori për Sigurinë Publikë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Tiranës, Erzen Breçani, është pezulluar nga detyra e tij pas thirrjes që bëri në Facebook për të rrëzuar Edi Ramën nga pushteti.



Hysni Burgaj, drejtori i përgjithshëm i Policisë, e ka pezulluar për 1 muaj Breçanin pas mesazhit të postuar në rrjetin social. Breçani kishte shkruar: “Pershendetje liderit historik te shqipetareve Doktorr Sali Berishes e duam ndihmen tende se jemi mesuar me ty qe te na prish deri sa te largojm pinjollet e komunistave me ne krye edvin ramen ta largojm kete enver te dyte ne qe dikur studenta te 91 shembem diktaturen enveriste do gjejme forc dhe optimizem do te ngrihemi te tere se bashku me rinin qe te mos e leme kete hitler te gjunjezoj shqiptaret”. Vetë zv.drejtori i Policisë së Tiranës ka reaguar ditën e martë duke pranuar që faqja e Facebook-ut ku është postuar ky koment i përket atij, por ka mohuar autorësinë e komentit. Breçani njihet për përplasjet e tij me drejtuesit e opozitës, të fundit edhe gjatë këtyre zgjedhjeve si edhe ishte në qendër të skandalit kur ushtroi dhunë brenda në komisariat mbi operatorin e “Top-Channel” pak muaj më parë. / Top Channel