Një zyrtare e lartë koreano-veriore tha sot se Pheniani do të ishte i gatshëm të ulej në bisedime me Shtetet e Bashkuara, në rrethanat e duhura.
Choe Son Hui, drejtorja e përgjithshme për çështjet amerikane në Ministrinë e Jashtme të Koresë së Veriut bëri komente për gazetarët në aeroportin e Pekinit, kur po kthehej nga Norvegjia.
Zyrtarët amerikanë ende nuk kanë bërë komente në përgjigje të deklaratës së zonjës Choe.
Muajin e kaluar, Presidenti Donald Trump tha se mund të ketë një konflikt të madh me Korenë e Veriut, por se ai preferonte një zgjidhje diplomatike të mosmarrëveshjeve për programin bërthamor dhe të raketave që po zhvillon Pheniani.
Më pas zoti Trump tha se do të ndjehej i nderuar nëse takohej me udhëheqësin koreano-verior, Kim Jong Un, në rrethanat e duhura.
Presidenti i ri i Koresë së Jugut tha këtë javë se edhe ai është i gatshëm të shkojë në Korenë e Veriut për bisedime, në kushtet e duhura. /VOA/
Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tv në Facebook dhe në Twitter