Koreja e Veriut ka thënë se do të vazhdojë me planet e saj për lëshimin e satelitit në hapësirë.


Mediat citojnë zyrtarët të kenë thënë se forcat armiqësore “gabojnë rëndë” nëse mendojnë se do të ketë anulim planesh.


Agjencia shtetërore e lajmeve në Phenjan thotë se kritikat ndaj planit janë “një provokim i keq nga forcat armiqësore”.


Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe Japonia kanë dënuar planin, duke thënë se ai është një test i maskuar i raketave ushtarake, sepse lloji i njëjtë i raketës është përdorur për të nisur raketat me rreze të gjatë veprimi.


Uashingtoni po ashtu ka kërcënuar se do të ndalojë ndihmën ushqimore për Veriun. Ndihma është pjesë e marrëveshjes së arritur javë më parë me Phenjanin.


Sipas kësaj marrëveshjeje, Koreja e Veriut ka thënë se do të ndalojë pasurimin e uraniumit dhe testet e raketave me rreze të gjatë dhe të shkurtër veprimi, në këmbim të ndihmave ushqimore.