Koalicioni i  Vëzhguesve Vendorë ka dalë me raportin e parë paraprak lidhur me ditën e votimit.


Problematike shihet pjesmarrja e ulët në zgjedhje e votuesve,  që sipas KVV duhet te shihet si një mesazh i forte ndaj klasës politike dhe te gjitha institucioneve te zbatimit te ligjit dhe respektimit te interesave, lirive dhe te drejtave te tyre.


Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë vlerëson se në tërësi, dita e zgjedhjeve pati një ecuri pozitive të të gjithë procesit, pavarësisht incidenteve të vogla të vërejtura.


Sipas KVV, trupa e administrimit zgjedhor, në përgjithësi, pati një sjellje të kënaqshme kundrejt respektimit të dispozitave ligjore dhe respektimit të të drejtave të votuesve. 


Incidentet e vërejtura gjatë procesit të administrimit nga kjo trupë theksojnë edhe një herë domosdoshmërinë e orientimit të kësaj trupe në frymën e zbatimit të ligjit, nevojën e trajnimeve të thelluara dhe domosdoshmërinë e sjelljes së tyre si organizma jopolitike, apartiake dhe jopartizane.


Qasja proaktive e institucioneve të tjera të zbatimit të ligjit në adresimin dhe ndjekjen e çështjeve të korrupsionit zgjedhor është një zhvillim shumë pozitiv, i cili rezultoi në organikë me sjelljen institucionale dhe frymën e vërejtur përgjatë periudhës së fushatës zgjedhore, si pasojë edhe e marrëveshjes së 18 majit, pavarësisht problematikave që e kanë shoqëruar atë thuhet më tej në raport.


KVV thekson se mbetet shumë e rëndësishme që kjo qasje proaktive të demonstrohet me të njëjtin vullnet dhe forcë edhe në vijim, pas mbarimit të procesit zgjedhor, duke i çuar deri në fund organeve të drejtësisë të gjitha çështjet apo rastet e evidentuara, por duke u kujdesur që çdo qasje apo veprim të jetë në respektim dhe zbatim të plotë të ligjit në mënyrë që këto çështje dhe kjo qasje mos të përfundojë si propagande e radhës, e duke riafirmuar edhe njëherë pamundësisë e dhënies së drejtësisë nga organet e zbatimit të ligjit.


 Vetëm në këtë mënyrë, një qasje e tillë do të evidentohej si një standard i ri e i pakthyeshëm që do të afektonte ndjeshëm dhe në mënyrë pozitive përballjen me problematikat dhe sfidat aktuale të demokracisë shqiptare thuhet në raport.


 Ndër të tjera, KVV vlerëson se partitë politike treguan se maturia, vizioni dhe dalja përtej interesave të ngushta të tyre mbetet një sfidë jo aq e paarritshme dhe e pamundur për to, si organizmat të cilat kanë marrë përsipër përmbushjen e aspiratave demokratike të popullit shqiptar.


Është e rëndësishme që problematikat e vërejtura, që mund të kenë prekur interesat e tyre, të shtrohen në rrugën e duhur institucionale e ligjore, duke investuar me seriozitet të plotë edhe në investimin e duhur të organeve të drejtësisë zgjedhore .


Qytetaret shqiptare megjithëse të paket në numër në krahasim me proceset e mëparshme zgjedhore, treguan edhe një here qetësi, e kulture te larte qytetare duke treguar se aspirate e larta demokratike e europiane janë një qëllim i palëkundur i tyre, pavarësisht propagandës apo garës elektorale te radhës përfundon raporti.


/Oranews.tv/


Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter