Katër persona të armatosur që plaçkitën dhe vranë 17 shoferë në autostradat rreth Moskës janë burgosur për jetë. Mediat ruse i etiketuan vrasësit emigrantë nga Azia Qendrore si banda “Grand Theft Auto”, duke iu referuar një loje kompjuterike popullore, me të cilën ngjasonte dhuna e bandës në fjalë.


Banda i kryente sulmet gjatë natës dhe mjete që çanin gomat ishin shpërndarë në rrugë, duke detyruar shoferët të ndalonin dhe të dilnin nga makinat. Më pas, anëtarët e bandës i qëllonin ata dhe i vidhnin sendet e tyre.


Pritat në autostradë ndodhën në dhe rreth Moskës, por edhe në rajonin e Kalugës, në jugperëndim të kryeqytetit, në 2012-2014.


Katër anëtarë të tjerë të bandës vdiqën vitin e kaluar duke u përpjekur të iknin nga paraburgimi. Më 1 gusht të vitit të kaluar ata i shpëtuan dy rojeve që i shoqëronin në një ashensor dhe morën armët e tyre, por rojet arritën të paralajmëronin kolegët që hapën zjarr kur dyert e ashensorit u hapën.


Tre vdiqën në vend dhe një i katërt në spital 11 ditë më vonë. Njëri mbijetoi dhe ishte në mesin e anëtarëve të bandës së dënuar të enjten. Përveç katër të burgosurve për jetë, një i pestë u burgos për 20 vjet.


Arrestimet e para u zhvilluan në nëntor 2014, kur udhëheqësi i dyshuar i bandës nga Uzbekistani, Ibaydullo Subkhanov, u gjurmua në fshatin Udelnaya në rrethin Ramensky në juglindje të Moskës. Policia e vrau atë në një shkëmbim zjarri.


Nëntë anëtarë të bandës u arrestuan në ditët në vijim. Por disa mbeten të lirë.  Pavarësisht disa raportimeve nga media që lidhin bandën me xhihadistët jashtë vendit, hetuesit rusë besojnë se synimi i tyre ishte vetëm pasurimi i shpejtë.


10 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)