TIRANË – Plagoset me armë shtetasi Gilmando Dani, i njohur si mik i Emiljano Shullazit dhe Dritan Dajtit. Ngjarja ndodhi rreth ores 21:30 në rrugën “Kongresi i Lushnjes” në Tiranë.

Nga burime të policisë mësohet se persona ende të pa identifikuar e kanë qëlluar me armë autmoatik tip kallashnikov të riun, pikërisht në tunelin e pallatit ku ai banonte.

Policia bën të ditur se Dani ka marrë plagë në këmbën e djathtë dhe është dërguar menjëherë në spitalin Ushtarak, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor i ngritur menjëherë pas kësaj ngjarje ka nisur verifikimet nëse plagosja është për shkak të ndonjë sherri të momentit apo për shkak të lidhjes së Gilmando Danit me Emiljano Shullazin me të cilin u kap në vitin 2006 me një arsenal armësh pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Ndërkaq po burime të policisë kanë bërë të ditur se Gilmando Dani dyshohet të ketë qënë në vendngjarje ditën e masakrës së Durrësit, më 7 gusht të vitit 2009, kur Dritan Dajti ekzekutoi 4 efektivë të policisë së shtetit, gjeë që në atë kohë u mohua nga avokati i tij.

(a.h/BalkanWeb)