Ish-polici u qëllua me armë mbrëmjen e së shtunës, në një lokal pranë stadiumit “Selman Stërmasi”

Policia po heton edhe në pistën e hakmarrjes për të gjetur atentatorin e 41-vjeçarit, Arben Bilali. Uniformat blu, edhe pse fillimisht folën për një ngjarje me motive banale, nuk do të lënë pas dore dhe pistën e hakmarrjes dhe janë duke grumbulluar informacione të sakta mbi konfliktet e mundshme mes viktimës dhe personave të ndryshëm. Arben Bilalit pak kohë më parë i kanë vrarë edhe një vëlla dhe dyshohet se atentati ndaj tij ka lidhje me këtë ngjarje. Hetuesit po verifikojnë të dhënat për të vërtetuar nëse ngjarja ka qenë pasojë e ndonjë konflikti të mbartur nga vitet apo dhe ditët e shkuara. Madje për këtë janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës miku i të plagosurit, me të cilin Bilali po pinte kafe në momentin e atentatit, si edhe disa dëshmitarë të tjerë, të cilët mendohet se kanë dijeni mbi rrethanat e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e së shtunës në rrugën “Emin Duraku”. Ekspertët janë duke shqyrtuar provat e mbledhura nga këqyrja e vendit të ngjarjes, gjurmët, si edhe dy gëzhojat e pistoletës “Zastava”, pasi plumbat kanë mbetur në trupin e të plagosurit, mbi të cilin mjekët kanë kryer një ndërhyrje kirurgjikale për ta mbajtur në jetë. Pavarësisht përpjekjes së bluzave të bardha, gjendja e ish-policit Bilali mësohet të jetë ende kritike.
Arben Bilali, 41 vjeç, banues në Selitë, mbeti i plagosur rëndë rreth orës 21:20 të së shtunës, në rrugën “Emin Duraku” në krah të stadiumit “Selman Stërmasi”, nga persona të panjohur. I dëmtuari ishte duke pirë një kafe me një mikun e tij, ndërsa u qëllua nga afër, me pistoletë. Ish-polici u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak në kryeqytet për t’i dhënë ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas burimeve spitalore, gjendja e tij paraqitej e rëndë. Nga deklaratat e policisë mësohet se 41-vjeçari, kishte marrë dy plagë, një në bark dhe tjetrën në gjoks, nga të shtënat e personit të panjohur, që ishte larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes pas realizimit të atentatit të paramenduar.








#