Ministri Vasili, urdhër të ri për planifikimin e ndërhyrjeve kirurgjikale
Jonida Tashi
Ndryshojnë rregullat për kryerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ditën e djeshme, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka nxjerrë një urdhër të ri për planifikimin e operacioneve, që do të zbatohet në mënyrë të menjëhershme nga pavijonet e kirurgjisë në spitalin “Nënë Tereza”. Tashmë operacionet në spitalin më të madh në vend do të kryhen sipas një grafiku të caktuar, i cili detyrimisht duhet të publikohet për pacientët dhe familjarët e tyre para se të kryhet ndërhyrja kirurgjikale. Ndërkaq, ndryshe nga praktikat e ndjekura deri para nxjerrjes së këtij urdhri, kur operacionet kryheshin vetëm nga disa kirurgë, tashmë shpërndarja e ndërhyrjeve kirurgjikale do të bëhet në mënyrë të drejtë midis kirurgëve.
Urdhri
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka urdhëruar
dje, të gjithë shefat e shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), të afishojnë listat e operacioneve të planifikuara që kryhen në çdo pavijon. Në bazë të urdhrit të ri të Ministrisë së Shëndetësisë, çdo qytetar do të mësojë publikisht se cili ekip mjekësor do të kryejë operacionin e radhës. Me këtë urdhër, Ministria e Shëndetësisë kërkon një shpërndarje në mënyrë të drejtë të operacioneve sipas gravitetit të sëmundjes, duke shmangur përqendrimin e tyre vetëm në një grup të vogël që udhëhiqet nga shefi i shërbimit. Urdhri i ri thekson përfshirjen në operacione të të gjithë stafit të kirurgëve që shërbejnë në repartet e kirurgjisë, duke eliminuar në këtë mënyrë abuzimin me nevojat e qytetarëve për të kryer këto operacione.
Grafiku
Duke filluar që nga dita e sotme e në vijim, lista e operacioneve kirurgjikale të planifikuara, më parë do të përgatitet dhe do të afishohet në mënyre të dukshme për pacientët dhe familjarët e tyre. Kjo listë do të përgatitet nga shefat e shërbimeve në repartet e kirurgjisë çdo ditë të shtunë. Në këtë listë do të detajohen operacionet që do të kryhen brenda një jave, të cilët do të jenë të renditura sipas gjendjes së rëndë shëndetësore që ka pacienti që pret t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale. Ndërkaq, në të njëjtën listë, pacientët dhe familjarët e tyre do të mësojnë edhe ditën e kryerjes së ndërhyrjes dhe se cili do të jetë kirurgu që do ta marri përsipër operacionin. Sipas urdhrit të ministrit Vasili, shpërndarja e operacioneve do të bëhet në mënyrë proporcionale, duke aktivizuar të gjithë kirurgët që shërbejnë në repartet e kirurgjisë e duke eliminuar në këtë mënyrë përqendrimin e panevojshëm dhe abuziv të operacioneve kirurgjikale në pak duar. Lidhur me urdhrin e nxjerrë për operacionet, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se ai është marrë në vazhdimësi të shumë hapave të ndërmarra për të rritur maksimalisht transparencën e komunikimit dhe luftën ndaj korrupsionit. “Kjo transparencë mundëson eliminimin e çdo lloj pakënaqësie apo përpjekjeje për veprime korruptive, duke bërë të qartë për këdo se kush do ta kryej operacionin dhe kohën kur operacioni do të kryhet” – thuhet në deklaratën për shtyp që Ministria e Shëndetësisë ka publikuar dje. Së fundi, Ministria e Shëndetësisë ka sqaruar se zbatimi i përpiktë i urdhrit do të ndiqet me rigorozitet nga drejtorët e spitaleve dhe shefat e shërbimeve, të cilët duhet të trajtojnë me përparësi çdo ankesë të qytetarëve lidhur me shërbimin dhe ndërhyrjet kirurgjikale.
Studimi i ISKSH-së
Pjesa më e madhe e spitaleve në vend nuk janë funksionale
Pjesa më e madhe e spitaleve në vendin tonë nuk justifikojnë funksionin për të cilin janë ngritur. Madje, jo vetëm kaq, por edhe ato pak shërbime që këto institucione shëndetësore ofrojnë janë të mangëta. Këto dhe shumë halle të tjera që kanë “mbytur” deri në fyt spitalet e vendit tonë janë evidentuar nga një studim i hollësishëm që Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH) ka realizuar së fundi, me qëllim marrjen e masave për përmirësimin e situatës. “Rezultatet janë në fakt shokante. Në një këndvështrim, spitalet, dhe siç pritej në fakt, janë joeficiente në pjesën më të madhe të tyre, sidomos spitalet bashkiake, që kanë statusin e spitaleve, që në të vërtetë ofrojnë shërbime si në qendrat e parësorit, madje nganjëherë dhe këto me mangësira, mungon personeli i kirurgjisë”, - ka deklaruar dje drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, gjatë një takimi që është zhvilluar për këtë çështje. Ditën e djeshme, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe fondacioni gjerman “Konrad Adenauer” organizuan konferencën me temë “Ekonomia sociale e tregut, sfidat për përmirësimin e shërbimit spitalor në Shqipëri”, ku merrnin pjesë drejtues të lartë të sistemit shëndetësor, ekspertë dhe drejtues të spitaleve nga i gjithë vendi. Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, propozoi disa opsione për përmirësimin e situatës në spitale, pas një studimi të hollësishëm, të realizuar në terren nga specialistët e ISKSH-së.
Mangësitë
Nga hulumtimi i hollësishëm nga ana e specialistëve të ISKSH-së, pranë të gjithë spitaleve në vend, janë vënë re një sërë mangësish në dhënien e shërbimit jo vetëm në spitalet bashkiake, por edhe në ato rajonale. Sipas ISKSH-së, disa spitale në nivel bashkie nuk justifikojnë funksionet publike për të cilat janë krijuar dhe financohen. Aktiviteti i këtyre spitaleve është në nivelin e shërbimeve ditore, si urgjenca, vizita ambulatore nga disa mjekë specialistë apo të përgjithshëm. Kjo është një medalje që ka dy anë, si mungesa e shërbimit shëndetësor për komunitetin dhe alokim joracional i fondeve për mbajtjen e këtyre spitaleve në këmbë. Sipas ISKSH-së, numri i ulët i pacientëve të trajtuar dhe treguesi i ulët i shfrytëzimit të shtratit në disa spitale, flet qartë për eficiencën e ulët të tyre dhe përsëri për një përdorim jo racional të fondeve të alokuara në to. Indikatori i shfrytëzimit të shtratit në shkallë vendi është 33%, në nivel spitali rajonal është 47% dhe në nivel spitalesh bashkiake 29%, tregues ky mjaft i ulët dhe larg mesatares së vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore ku i njëjti tregues është rreth 73%.
Opsionet e ISKSH-së për përmirësimin e situatës në spitale
Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana ka nënvizuar disa rekomandime, implementimi i të cilave mund të sjellë përmirësim të situatës në sistemin spitalor, e parë kjo në këndvështrimin e skemës së sigurimeve shëndetësore. Tre prej opsioneve që rekomandon ISKSH-ja janë si më poshtë:
1. Rishikimi i shpërndarjes territoriale dhe riorganizimi i sistemit spitalor, duke pasur si kriter bazë shërbimet që ata mund të ofrojnë dhe lidhjen më të mirë të tyre me fondet e alokuara. Në këtë kuadër, synohet fuqizimi i spitaleve rajonale, të cilët do të kenë një paketë shërbimi transparente dhe që do të ofrohet realisht në çdo spital rajonal.
2. Rritjen e nivelit profesional të personelit mjekësor dhe rritjen e shkallës së motivimit nëpërmjet ofrimit të pagesave të diferencuara për mjekët specialistë.
3. Përmirësimi i shkallës së menaxhimit financiar të spitaleve dhe në veçanti ngritja e strukturave për evidentimin e kostove, në mënyrë që të bëhet i mundur financimi për performancë edhe në spitale, si në parësor.
Shfaqet premiera botërore e filmit “Shrek Forever After”, për fëmijët jetimë
Për të falur sa më shumë dashuri dhe dhuruar sa më shumë buzëqeshje në Ditën Kombëtare të Jetimëve, dje, Kinema Millennium dhe kompania Vodafone Albania në bashkëpunim me Shoqatën e Jetimëve të Shqipërisë organizuan një ngjarje shumë të veçantë, premierën botërore të filmit “Shrek Forever After”. 250 jetimët nga qytete të ndryshme të vendit patën mundësinë e rrallë të ishin spektatorët e parë shqiptarë që ndiqnin aventurat më të reja të personazhit aq të dashur dhe shumë të njohur, Shrek. Përfaqësues të Vodafone Albania dhe Kinemasë Millennium thanë dje se ky aktivitet ishte një dhuratë speciale për fëmijët jetimë të Shqipërisë në mënyrë që ata të ndiejnë ngrohtësinë dhe përkujdesjen e shoqërisë. Aktiviteti u zhvillua në Ditën Kombëtare të Jetimëve për të dhënë një mesazh ndërgjegjësues për shoqërinë shqiptare që të dhurojë më shumë ngrohtësi dhe përkujdesje ndaj këtij grupi shoqëror. Gjatë aktivitetit të djeshëm fëmijët jetimë u përshëndetën edhe nga zonja e parë e vendit, Teuta Topi.
21 Maj 2010