Kosova duhet të plotësojë një varg kushtesh për të siguruar hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim -Asociimit. Ministrat e Jashtëm të BE’së kërkuan përparime në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe dialogut me Serbinë, në mënyrë që gjatë gjysmës së parë të vitit të ardhshëm të merret një vendim pozitiv. Për këtë, raportimi i Baroneshës Ashton në pranverë para zyrtarëve europianë do të jetë vendimtar.

Autoritetet kosovare duket se nuk ia kanë arritur të përmbushin asgjë nga ajo që kishte kërkuar Komisioni Europian gjatë muajit tetor, në mënyrë që Prishtina dhe Brukseli të hapin negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim -Associmit.

Krejt detyrat që u janë kërkuar pas publikimit të studimit të fizibilitetit muaj më parë janë përsëritur edhe një herë të martën mbrëma në kryeqytetin europian.

Komisioneri Stefan Fule, i cili ka mandatin për të propozuar hapjen e bisedimeve për MSA’në me Kosovën, nuk ka pasur asgjë pozitive për të raportuar.

Porosinë se Kosova duhet t’i përmbushë të ashtuquajturat kushte afatshkurtra Fule e ka dërguar përmes një mesazhi në rrjetin social “Twitter” pasi i ka përfunduar punimet Këshilli për Çështje të Përgjithshme i BE’së.

“BE ka konfirmuar mundësinë që Kosova të hapë negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit pasi Kosova të përmbushë prioritete afatshkurtra”, ka shkruar Fule.

Komisioneri për Zgjerim në konferencën për media ka deklaruar se pret që Kosova të nisë këto negociata gjatë gjashtë mujorit të parë të vitit të ardhshëm.

Ministrja e Jashtme e Qipros, Erato Kozakou Markoullis, ka konfirmuar ato që ka thënë Fule, duke nënvizuar se e gjithë ajo çka është duke ndodhur në Bashkimin Europian karshi Kosovës merr parasysh dallimet mes shteteve anëtare për statusin.

Ajo ka potencuar edhe kushtet që duhen përmbushur.

“Këshilli ndjek ecurinë e Studimit të Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim - Asociimit midis BE’së dhe Kosovës pa paragjykim të statusit nga ana e vendeve anëtare. Këshilli merr në dijeni se Komisioni do të propozojë direktivat negociuese për MSA’në sapo Kosova të ketë përmbushur prioritetet afatshkurtra që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit në administratën publike, mbrojtjen e minoriteteve, tregtinë të cilat janë identifikuar në studimin e fizibilitetit”, ka thënë Markoullis.

Të gjitha këto që i kanë thënë zyrtarët europianë për Kosovën kanë gjetur vend edhe në konkluzionet e tyre.

Aty i bëhet thirrje Kosovës që të bëjë përparime thelbësore në shumë fusha.

“Këshilli i bën thirrje Kosovës që të bëjë më shumë përparime në bashkëpunimin me EULEX’in si dhe në punën me Taskë Forcën e Speciale EULEX’it t’i përmbushë obligimet.Në këtë kuptim dialogu i strukturuar për sundimin e ligjit, dialogu për liberalizimin e vizave dhe dialogu për stabilizim asociimin do të luajë një rol të rëndësishëm për t’i çuar përpara përpjekjet e Kosovës për reforma në këto fusha”.

Po ashtu Kosovës i kërkohet që t’i përshpejtojë përpjekjet për reforma.

“Duhen shumë përpjekje për forcimin e reformës administrative dhe konsolidimin e sundimit të ligjit veçmas duke sjellë dëshmi të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformën e gjyqësorit dhe lirinë e shprehjes”, thuhet në konkluzione.

BE ka bërë thirrje që Kosova të forcojë bashkëpunimin e ngushtë me EULEX dhe ta respektojë mandatin e ripërtërirë të këtij misioni.

“Këshilli mirëpret përpjekjet e vazhdueshme të Komisionit që të negociojë një marrëveshje kornizë me Kosovën, që ka të bëjë me pjesëmarrjen e saj në programet e Unionit dhe synimin që kjo të trajtohet në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm në Këshill pa paragjykuar çështjen e statusit”.

Brukseli ka kërkuar që të implementohen të gjitha marrëveshjet e arritura me Serbinë dhe angazhim i mëtejmë në këtë proces për të gjitha çështjet me lehtësimin e BE’së.

Në konkluzione kërkohet edhe normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi, që përmendet si kusht për rrugën europiane, ndërsa BE ka kërkuar edhe një plan për Veriun.

Aty është mirëpritur fillimi i implementimit të IBM’së, është përshëndetur vendimi qw Kosova dhe Serbia të emërojnë zyrtarë ndërlidhës.

Po ashtu Bashkimi Europian pret që të dy palët të vazhdojnë të përshpejtojnë punën e tyre duke adresuar të gjitha aspektet e marrëdhënieve të tyre.

BE ka bërë të ditur se të gjitha çështjet e përmendura në konkluzione do të ndikojnë në hapjen e bisedimeve për MSA’në dhe për këtë kyç do të jetë raportimi që do ta bëjë Përfaqësuesja e Lartë e BE’së, Catherine Ashton, në pranverë të vitit të ardhshëm.

“Këshilli do ta vlerësojë raportin gjatë Presidencës së ardhshme. Nëse vlerësimi është pozitiv, Këshilli do t’i miratojë direktivat negociuese” .

Ndërsa sa i përket Serbisë Bashkimi Europian po ashtu ka vendosur se në pranverë do të vendosë nëse ajo do ta marrë datën për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, duke u bazuar në dialogun Kosovë – Serbi.