Policia ka arrestuar një shtetas indian  të shpallur në kërkim nga shteti i Indisë, i cili është kunati i dy vëllezërve indianë, Nitin dhe Chetan Sandesara janë shpallur në kërkim nga shteti i tyre me akuzën e pastrimit të parave.


Interpol Tirana në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rinas njoftoi sot se arrestoi provizorisht shtetasin indian:


H. P.,59 vjeç, lindur në Indi dhe banues në Nigeri.


Ky shtetas është kapur në në aeroportin e Rinasit në dalje nga territori i Republikës së Shqipërisë pasi ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol New Delhi/ Indi.


Gjykata Patiala House/New Delhi, ka lëshuar ndaj këtij shtetasi urdhër arresti për veprën penale Pastrimi i parave, parashikuar nga nenet 3 dhe 4 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave.


Mediet indiane shkruajnë se policia shqiptare ka arrestuar të enjten, për llogari të Interpolit, shtetasin Hiteshkumar Patel, që është edhe kunati i Cetan Sandesaras. Burime nga Policia e Shtetit konfirmojnë arrestimin, ndërsa një shtetas indian i dytë ka mundur të largohet nga Shqipëria.


Sipas Times of India, agjencitë ligjzbatuese të Indisë kanë nisur menjëherë kontaktet me Interpolin dhe autoritetet shqiptare, për të nisur sa më parë procedurat e ekstradimit të Patel në Indi.


Hiteshkumar Patel është vëllai i bashkëshortes së Cetan Sandesaras. Patel ka qenë një nga drejtuesit më të lartë të kompanisë Sterling Biotech dhe, sipas medieve indiane, arkitekti që krijoi skemën gjigante të mashtrimit financiar.


Përmes kompanisë Sterling, Nitin dhe Chetan Sandesara kanë marrë 725 milionë deri në 1 miliard dollarë amerikanë kredi nga bankat shtetërore të Indisë, para të cilat i zhdukën përmes një rrjeti prej 300 kompanish offshore.


Autoritetet indiane dyshonin se vëllezerit Sandesara ishin arratisur në Nigeri, por prej shkurtit të vitit të kaluar, ata janë bërë shtetas shqiptarë dhe janë duke investuar në ndërtimin e pallateve në Tiranë dhe resorteve turistike në bregdetin e jugut të Shqipërisë.


Mbetet e paqartë nëse vëllezerit Sandesara ndodhen aktualisht në Shqipëri, apo janë larguar pas publikimit të skandalit. Por, arrestimi i Hiteshkumar Patel përbën një zhvillim të rëndësishëm në atë që mund të jetë një nga skemat më të mëdha të pastrimit të parave në Shqipëri.


Gazeta Shqip