Email-i - John Anderson, një zyrtar i Podesta Group, u ka dërguar mediave ndërkombëtare një email ndaj situatës për ndryshimin e KQZ-së


Alarmi - Anderson u thotë gazetarëve se do të ketë një tension politik. Unë jam i bindur dhe pres disa shpërthime të forta fishekzjarrësh


Podesta - Kompania amerikane Podesta Group ka marrë 720 mijë dollarë nga buxheti i shtetit për të lobuar mbi përmirësimin e imazhit të vendit


2011 - Edhe në zgjedhjet e 8 majit, për situatën e krijuar në Tiranë, Podesta mbrojti rinumërimin e votave që përmbysi rezultatin final


Paralajmërimi


Lobim te mediat ndërkombëtare për situatën në KQZ


eksperti i Podasta, John AndersonPodesta Group, kompania amerikane që është paguar me paratë e buxhetit të shtetit për të lobuar për qeverinë shqiptare, dhe ka marrë rreth 720 mijë dollarë, po tenton të bindë opinionin publik ndërkombëtar që Partia Demokratike ka të drejtë për të ndryshuar konfigurimin e Komisionit të Zgjedhjeve. Një zyrtar i Podesta-s, përkatësisht John Anderson, u ka dërguar një email përfaqësuesve më të njohur të mediave ndërkombëtare, ku përveçse mbron qëndrimin e PD-së për të ndryshuar KQZ-në, në mënyrë të hapur paralajmëron për një tensionim të skajshëm të situatës politike në vend, të cilën Anderson e metaforizon duke theksuar se pret shpërthime fishekzjarrësh. Një stilizim që në gjuhën e komunikimit publik do të thotë trazira politike. Gazeta Shqip ka siguruar email-in e plotë të zyrtarit të Podesta-s drejtuar mediave ndërkombëtare, të cilin po e botojmë të plotë.


Email-i


Përshëndetje! Shpresoj që jeni mirë dhe më falni për email-in impresionues. Për të shkundur pak kujtesën tuaj, unë merrem me informimin e mediave për qeverinë e Shqipërisë dhe email-et e mia për ju kanë si qëllim të informoheni në lidhje me sfondin e situatës dhe nuk janë një njoftim direkt për shtyp. Unë nuk jam zëdhënësi i qeverisë. Kjo është situata e Shqipërisë për të cilën kërkon vëmendjen tuaj. Javën e shkuar, më 3 prill, një parti e koalicionit qeveritar, Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), u largua nga mazhoranca dhe u bashkua me partinë opozitare, Partia Socialiste. Ky ndryshim, në mënyrë dramatike ka ndikuar politikisht dhe ligjërisht, duke ndryshuar balancën e mandatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe të 89 komisioneve zonale (KZAZ), në të cilët anëtarët janë zgjedhur sipas përkatësisë politike. Këto komisione do të luajnë një rol kryesor në vlerësimin e rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Ky është padyshim një zhvillim i rëndësishëm. Nuk ka asgjë të gabuar nga aspekti i aleancave politike. Por vendimi i KQZ-së u mor pasi u miratuan anëtarët e komisioneve zgjedhore, të cilët krijojnë një dilemë të madhe, pasi Kodi Zgjedhor kërkon që kjo anëtarësi e komisionit duhet të krijojë një balancë ndërmjet partive të qeverisë dhe opozitës. Prej vitesh, Kodi Zgjedhor i Shqipërisë është aprovuar me konsensus bipartizan. Miratimi është mbështetur nga të gjitha organizatat ndërkombëtare si Këshilli i Europës, Komisioni i Venecias dhe OSBE-ja. Kodi siguron që asnjë parti apo koalicion mund të prishë rezultatet në mënyrë të padrejtë dhe i jep mundësi opozitës që të apelojnë dhe të kundërshtojnë vendimet e Komisionit Qendror, por edhe të komisioneve vendore. Unë nuk kam ide se si do të zgjidhet kjo çështje, por realisht situata i afron Shqipërisë një ambient të tronditur politik. Unë jam i bindur dhe pres disa shpërthime të forta (si punë fishekzjarrësh). Ju ndiqeni situatën dhe më dërgoni email nëse doni të kontaktoni ndonjë autoritet të qeverisë për komente. Më poshtë ju kam nënvizuar çështjet që kanë ndryshuar dhe shpresoj se do tju ndihmojnë. Gëzuar… John Anderson.


2011


Podesta Group, në email-in dërguar mediave ndërkombëtare, bën të ditur se përfaqëson qeverinë shqiptare, pra jo Partinë Demokratike. Kjo kompani është paguar për të përmirësuar dhe lobuar mbi imazhin e vendit dhe jo për të bërë zëdhënësen ndërkombëtare të PD-së. Por në fakt, një gjë e tillë nuk ka ndodhur vetëm sot, por edhe 2 vjet më parë, në zgjedhjet e 8 majit të vitit 2011. Më 23 maj të 2011-s, Podesta tentoi të bindë mediat ndërkombëtare se numërimi i votave të hedhur gabim që u miratua nga KQZ-ja ishte e ligjshme, edhe pse të gjithë organizmat ndërkombëtarë dhe kancelari si Uashingtoni e Brukseli e mohuan një gjë të tillë. Në 2011-n, Podesta theksoi se situata ishte e ngjashme si në rastin e Floridës të vitit 2000, kur u rinumëruan votat që sollën fitoren e republikanit George W.Bush ndaj rivalit demokrat, A Gore. Në letrën e Podesta jepen informacione mbi rezultatin e zgjedhjeve dhe arsyet se pse KQZ-ja po vepronte mbi vlerësimin e votave në Bashkinë e Tiranës, ku fillimisht Edi Rama, kandidati i PS-së, doli fitues para kandidatit demokrat, Lulzim Basha, me një diferencë të ngushtë prej 10 votash. Por se gjithçka u përmbys nga vendimi i KQZ-së, i marrë me 4 vota pro dhe 3 kundër të anëtarëve.


Podesta: Situata politike është e tensionuar. Presim fishekzjarrë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP
Abonohuni me Email