Në bazë të vendimit të jurisë profesionale, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Valton Beqiri, ka nënshkruar vendimet për dhënien e çmimit kombëtar “Azem Shkreli” dhe të çmimit vjetor “Azem Shkreli”. Sipas vendimit të jurisë që kishte në përbërje Jusuf Buxhovin (kryetar), Arif Demollin (anëtar) dhe Avdi Visokan (anëtar), çmimi kombëtar “Azem Shkreli”, i cili i jepet krijuesit të dalluar për vepër jetësore, i cili me krijimtarinë e vet ka lënë gjurmë të thella në fushën e letërsisë, në krijimtarinë dhe në veprimtarinë e tij, poetit Ali Podrimja, ndërkohë që çmimi vjetor “Azem Shkreli”, i cili jepet për veprën më të mirë në fushën e letërsisë të botuar brenda vitit, i është dhënë Nysret Krasniqit për veprën “Udha kratilike”. Në motivimin e jurisë për ndarjen e çmimit kombëtar “Azem Shkreli” thuhet se “Ali Podrimja është pa dyshim zëri më i veçantë, më origjinal, më kumbues, më depërtues, më me ndikim në poezinë tonë të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar dhe të fillimit të shekullit tonë, duke shtuar se ky çmim është një mirënjohje e vogël për krijimtarinë e madhe e të jashtëzakonshme të këtij poeti. Ndërsa motivimi i dhënies së çmimit vjetor “Azem Shkreli” për veprën “Udha kratilike” ka qenë: “Është një studim i problemeve filozofike e teorike që nga antikiteti e deri sot dhe, si i tillë, përqendrohet në tekstin si bazë e lidhjeve kulturore me tekste e kultura të ndryshme, duke shtuar se, përmes interpretimit të veprës së Mitrush Kutelit, ky studiues ka shënjuar një model interpretimi që bëhet i përdorshëm edhe për analizën e teksteve të tjera letrare”. Sa u përket këtyre dy nderimeve të përvitshme, çmimi kombëtar “Azem Shkreli” jepet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës dhe shoqërohet me vlerën monetare prej 5000 eurosh, ndërsa çmimi vjetor “Azem Shkreli” shoqërohet me vlerën monetare prej 3000 eurosh.



4 Shkurt 2009