Reali i Madridit është një ëndërr për të gjithë futbollistët dhe aq më shumë me Zidane trajner, megjithatë jam i lumtur në Manchester. Pavarësisht kësaj, nuk mund të konfirmoj se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Kjo ishte përgjigjja e Paul Pogbasë në momentin që francezi u pyet rreth një transferimi të mundshëm në radhët e Realit.


Kaq ka mjaftuar që në zyrat e United të nisin në mënyrë alarmante të kërkojnë përfitimin më të madh në rast se Pogba largohet drejt Santiago Bernabeut. Djajtë e Kuq mendojnë shkëmbimin si mundësinë më të mirë për të lënë të lirë lojtarin. Nëse doni Pogbanë, atëherë duhet të na jepni Bale dhe Kroos. Kjo është kërkesa e Manchester United, sipas asaj që publikon britanikja Mirror.


Deklaratat e Pogbasë nuk kanë kaluar pa u vënë re nga Zidane, qe nuk ngurroi të pranonte publikisht se i pëlqen shumë stili i mesfushorit dhe kjo nuk është diçka e re. Njohja personale që kanë Zizu dhe Paul mund të ndikojë jo pak në këtë transferim. Është një mesfushor që di të mbrojë e jo vetëm të sulmojë, e ky është një faktor shumë i rëndësishëm çka bën që te Reali ta shohin si objektivin kryesor të merkatos.


Pogba mund të jetë edhe nga futbollistët që Zidane vuri mbi tryezën e Florentino Perezin si kërkesë kryesore për të formuar skuadrën e sezonit të ardhshëm. Aktualisht, të gjithë e dinë që trajneri francez ka fuqinë e plotë të vendosë për çdo gjë sportive te klubi madrilen, nëse Zidane kërkon një futbollist, atëherë Perez do të bëjë gjithçka mundet për tia plotësuar dëshirën.