Drejtoresha e qendrës komunitare në Pogradec, Anila Bebri.

25 vjet më parë askush nga familja e Klement Elmasllarit se besonte se djali i tyre i vogël do të rikthehej në jetë, pas aksidentit në moshën 7 vjeç.


Rënia nga kati i tretë i apartamentit ku banonte, ishte fatale për Klementin i cili pësoi dëmtime të rënda në tru, gjë që e cila i shkaktoi qëndrimin në koma për 7 ditë.


Edhe pas zgjimit nga koma, asgjë sdo të ishte si më parë. Vogëlushi kishte probleme me të folurin dhe ekuilibrin.


E vetmja shpresë për familjen e Klementit sot 33 vjeç, ishte qendra speciale komunitare, e vetmja në qytetin e Pogradecit që ofronte terapi mësimore për fëmijët me aftësi ndryshe, të cilët e kishin të pamundur të frekuentonin shkollën.


Sot, pas më shumë se 20 vitesh, qendra speciale multifunksionale e Pogradecit ka ndryshuar rrënjësisht, jo vetëm fasada por gjithcka që ajo ofron në ndihmë të fëmijëve me aftësi ndryshe.


Ajo është kthyer në një qendër model ku ofrohet mësimdhënie, terapi zhvillimi për fëmijët autikë si dhe fizioterapi.


Stafi i qendrës komunitare, vit pas viti është plotësuar me profesionistë si, mësues, psikologë e punonjës social, të cilët ofrojnë për 48 fëmijët e të rriturit e qendrës, shërbim të specializuar.


Rikonstruksioni i qendrës përfundoi një vit më parë dhe u financua nga PNUD Albania, i cili në bashkëpunim me bashkinë e Pogradecit e riktheu këtë qendër multifunksionale në një model për të gjithë zonën, duke ndërhyrë në një ambient të harruar prej 24 vitesh.


Klementi është ndër të parët fëmijë në qendër. Pak nga pak ai ka mësuar në këto vite të shkruaj e të lexojë, të kryejë ushtrime matematike si dhe të vizatojë, thotë mësuesja e matematikë-fizikës, Luiza Tupe, e cila punon në qendër prej vitit 2003.


Por kërkesat për të frekuentuar qendrën janë të shumta. Me zbatimin e programit të përbashkët të PNUD dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim Askush Të Mos Mbetet Pas, i cili zbatohet në të gjithë vendin, qendra speciale multifunksionale e Pogradecit është ndër 5 qendrat në gjithë vendin ku ofrohet shërbim i specializuar për fëmijët autikë dhe ata me aftësi të kufizuar.


Ky program synon të mbështesë personat me aftësi ndryshe që të kenë qasje dhe mundësi të barabarta për shërbime publike; të marrin pjesë aktive në vendimmarrjen publike që ndikon në jetën e tyre si dhe të fuqizohen për ti kërkuar llogari institucioneve përgjegjëse. Kërkesat për t’u regjistruar në qendër rriten çdo vit.


Rikonstruksioni i qendrës ka mundësuar shtimin e personelit e për pasojë dhe të shërbimeve. Aktualisht qendra numëron 48 fëmijë e të rritur me aftësi ndryshe të cilëve u ofrojmë terapi individuale, terapi zhvillimi, terapi mësimore, terapi grupi, – thotë drejtoresha e qendrës komunitare në Pogradec, Anila Bebri.


Për kryetarin e Bashkisë së Pogradecit, Eduart Kapri, nevoja për shërbim të specializuar në qendrën multifunksionale të qytetit është e madhe, sidomos për fëmjët që jetojnë në fshat.


Për këto zona ne jemi në kërkim që të paktën në zonat më të afërta të mund të sigurojmë mjet transporti.


Kjo mund të realizohet për pjesën afër qytetit, ndërsa për zonat e thella malore pothuajse nuk ekziston infrastruktura rrugore, thotë Kapri.


Klement Esmasllari

Mosha e fëmijëve që frekuentojnë qendrën e Pogradecit, nis nga 4 deri në 18 vjeç. 6 nga 10 të rinj që frekuentojnë qendrën janë femra. 33 fëmijë dhe të rritur vijnë nga zonat urbane, ndërsa 13 të tjerë nga zonat rurale. 12 fëmijë shkojnë në kopshte dhe shkolla ndërsa marrin edhe shërbimin e qendrës. Paradite kemi fëmijë që nuk shkojnë në shkollë as në kopshte, autikë dhe të rritur. Pasdite fillon turni tjetër që janë fëmijët që frekuentojnë kopshtet dhe shkollat. Ata vijnë me terapi një orëshe apo dy orëshe, thotë drejtoresha e qendrës, Anila Bebri. Në qytetin e Pogradecit dhe fshatrat përreth tij janë rreth 500 fëmijë me aftësi ndryshe të cilët e kanë të nevojshëm marrjen e shërbimit të specialistëve të duhur çdo ditë.


Shqipëria, prej dhjetorit të 2009-ës ka nënshkruar Konventën për Të drejtat e Personave me aftësi të Kufizuara, duke u bërë kështu pjesë e 153 shteteve në mbarë botën që pranojnë zbatimin e ligjeve për këta persona.


Nisur dhe nga qëllimi i Konventës, Shqipëria duhet: të nxisë, të mbrojë, të sigurojë gëzim të plotë dhe të barabartë të të gjitha të drejtave të njeriut dhe lirive themelore nga ana e të gjithë personave me AK si dhe të nxisë respektimin e dinjitetit të tyre të lindur/të brendshëm.


Ajo çfarë synohet të arrihet me këtë projekt Askush të mos mbetet pas , (program i përbashkët i Kombeve të Bashkuara, i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim), është pikërisht fuqizimi i personave me aftësi të kufizuar, komunitetet rome dhe ato egjiptiane, si dhe gratë në nevojë, për të kërkuar dhe për të pasur qasje në shërbimet sociale, si një parakusht për përmirësimin e jetës së tyre. Synohet që tu mundësohet bashkive të kenë aftësitë e nevojshme për të administruar në mënyrë efektive ofrimin e shërbimeve sociale bazuar në respektimin e të drejtave, si dhe për të çuar përpara përfshirjen sociale, të forcohen kapacitetet e institucioneve në nivel kombëtar për të zbatuar kuadrin e politikave të tyre për financimin dhe ofrimin e shërbimeve sociale.


Ndërhyrjet e tanishme në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve nga ana PNUD shtrihen në 18 bashki: Berat, Bulqizë, Dibër, Durrës, Fier, Fushë-Krujë, Korçë, Kukës, Lezhë, Lushnje, Përmet, Pogradec, Përrenjas, Sarandë, Shijak, Shkodër, Tiranë, Ura Vajgurore.


7 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)