TIRANE- Sot u nënshkrua marrëveshja mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane për ndërtimin e Polit Energjetik në rajonin e Lezhës. Pas nënshkrimit të marrvëshjes në ambientet e hotel “Sheraton”, Kryeministri Sali Berisha garantoi mbështetjen e plotë të Qeverisë shqiptare për projektin italian të Polit Energjitik që pritet të ndërtohet në rajonin e Lezhës. Kryeministri e cilësoi projektin "një hap të madh në vizionin e shndërrimit te Shqipërisë në një superfuqi të vogël energjitike në rajon".
“Siguroj Grupin Marseglia se do të ketë mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare në realizimin e këtij projekti të madh dhe kjo besoj se është përgjigja më e shkëlqyer antikrizë”, deklaroi sot kryeministri Berisha gjatë ceremonisë së nënshkrimit në hotel ‘Sheraton’ të marrëveshjes mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane për ndërtimin e polit energjitik në rajonin Lezhë.
Investimi për Polin Energjitik kap shifrën e 1.5 miliardë eurosh. Berisha theksoi se “ky projekt përqëndrohet në Lezhë, një rreth gjeografikisht ndër më të vegjëlit e Shqipërisë, i cili firmos në harkun kohor të më pak se dy muajve kontrata me një vlerë prej 1.5 miliard euro”.
Z. Berisha informoi ndër të tjera se, brenda dy muajve janë firmosur kontrata koncensionare me palën italiane me një vlerë prej 3.5 milirdë euro dhe këtu flitet për megainvestime. Ajo që është e rëndësishme, vijoi Kryeministri, janë projektet e ardhshme që po përgatiten dhe që kapin vlerën prej miliarda eurosh.
Kryeministri falenderoi Grupin Marseglia për besimin e dëshmuar ndaj Shqipërisë, si dhe ambasadorin italian ne Tirane, D’Elia që ështe nje promotor i vërtetë i investimeve italiane ne Shqipëri.
(d.b/BalkanWeb)