Nga Bashkim KOPILIKU
Në replikë të shkrimit Kush e komandon qëndrimin antipronar të ish-politikanit Bashkim Kopliku, të botuar në gazetën tuaj të datës 23.5.2009, ju lutem ribotoni shkrimin tim të cilit pretendon ti referohet z. Ahmet Sulstarova. Kështu lexuesit e respektuar të gazetës Sot, do të kenë mundësinë të konstatojnë vetë se kush ka të drejtë.


Nuk ia vlen të merrem me fyerjet komuniste që përmban shkrimi ndaj të cilit po replikoj: janë bërë tashmë bajate këto slogane prej antikomunisti komunist, si këto të këtij zotit Starova. Dhe kokëfortësia e tij, merr përgjigje në shkrimin tim, të botuar më datë 19.5.2009 Gazeta Shqiptare, ku në fund shkruaj: Të shtysh ish-pronarët që akoma të humbin kot kohë dhe energji me shfuqizimin e Ligjit për tokën, do të thotë ose tu bësh një përqafim prej ariu (pra ti mbysësh, duke u dashur të mirën), ose do të thotë ti gënjesh (sepse në fakt nuk dëshiron tu japësh gjë).
Poli duhet ti pranojë tashmë ligjet për tokën, ato të miratuarat deri në vitin 1997, duke filluar me ligjin 7501 dhe të gjithë ligjet e aktet përkatëse ligjore e nënligjore (po i quajmë Ligji për tokën). Poli duhet të këmbëngulë për zbatimin e drejtë e të shpejtë të Ligjit për tokën.  Fatkeqësisht akoma ka shumë përfaqësues të pronarëve të vjetër (të ish-pronarëve), që jo vetëm nuk e pranojnë Ligjin për tokën, por mendojnë se koalicioni Poli i Lirisë duhet të luftojë për shfuqizimin e Ligjit për tokën, duke e konsideruar si instrumenti me të cilin iu grabit toka ish pronarëve (pronarëve të vjetër). E kanë gabim: duhet ta pranojnë Ligjin. Ligji për tokën synoi të kthejë në pronarë privatë mbi gjysmën e shqiptarëve (ish-kooperativistët dhe punonjësit e fermave shtetërore, që po i quajmë në këtë shkrim pronarët e rinj), si dhe të dëmshpërblejë ish-pronarët (kthim, kompensim fizik ose financiar për tokën që kishin pasur në pronësi). Fatkeqësisht PD-ja nuk e mbajti fjalën tamam, për asnjërin nga dy subjektet e Ligjit për tokën: pronarët e rinj dhe ish-pronarët.  Ish-pronarët u dëmshpërblyen fare pak. Por edhe pronarët e rinj, nuk i la kurrë të sigurt në pronën e tyre, herë u thoshte do tua marrim tokën, e herë se nuk ua merr dot njeri tokën.  Natyrisht që këto sollën pasoja të rënda në bujqësi e në të gjithë ekonominë dhe politikën e gjithë këtyre viteve
* * *
Nuk është fare në interes të ish-pronarëve që akoma të kërkojnë shfuqizimin e Ligjit për tokën, përkundrazi.  Ata duhet të rreshtohen me ata që e pranojnë, por që kërkojnë zbatimin e drejtë të Ligjit për tokën. Ata duhet tu thonë e gëzofshi pronën, pronarëve të rinj të ligjshëm (jo grabitësve të tokës, atyre të ligjit të legalizimit, e as abuzuesve me ligjin). Ky qëndrim politik do tu siguronte ish-pronarëve, jo vetëm moskundërshtimin e pronarëve të rinj (pra të më shumë se gjysmës së shqiptarëve), por dhe përkrahjen e tyre, vendosjen e tyre në një krah me ta. Duhet pikërisht kjo përkrahje e gjerë, që të mund të realizohet dëmshpërblimi i drejtë i ish-pronarëve, pa sorollatjet e mashtrimet e deri sotme. Dëmshpërblim i drejtë i ish-pronarëve, do të thotë që ata të marrin aq dëmshpërblim (kompensim), saqë po tua jepnin pronarëve të rinj, këta të fundit të ishin gati menjëherë që ta shkëmbenin tokën e marrë në 1991, me atë kompensimin e drejtë të marrë sot nga ish-pronarët. Ish-pronarët së bashku me shumicën e shqiptarëve, duhet të luftojnë për dënimin dhe ndalimin e abuzimeve me tokën, që janë të gjitha në kundërshtim me Ligjin për tokën. Natyrisht që nuk mund të krahasohen fare grabitësit e tokave (informalët, që z. Berisha në vitin 2005 u premtoi tu legalizojë grabitjen), me pronarët e rinj që u bënë pronarë të tokave gjatë viteve 1991-97. Poli duhet të ketë në programin e tij amendimin e ligjit të legalizimeve, duke kërkuar që toka e legalizuar të paguhet me vlerën e saj të tregut në momentin e kryerjes së pagesës. Të gjitha këto pagesa, që vlerësohen të jenë disa miliarda euro, duhet të kalojnë në fondin për kompensimin e pronarëve të vjetër. Nuk ka vend në këtë shkrim për të analizuar më gjatë drejtësinë e përkrahjes së Ligjit për tokën- kemi shkruar shpesh për këtë temë. Por le ti biem shkurt me një qasje pragmatiste: nuk ka asnjë shans që shfuqizimi i Ligjit për tokën të kryhet ndonjëherë në Kuvend, sepse nuk ka dot shumicën që do të duhej për atë ndryshim- edhe sot, tri koalicionet tjera, tashmë janë shprehur në përkrahje të Ligjit për tokën, e ata janë mbi 90% e elektoratit! Ka shumë nga ata që kanë aderuar tek Poli, e që deri dje kanë këmbëngulur për shfuqizimin e Ligjit për tokën.  Por sot duhet të ndryshojnë taktikë, e të përqendrohen në këmbënguljen për zbatimin e drejtë e të shpejtë të Ligjit për tokën, që ish-pronarët të zhdëmtohen (të kompensohen fizikisht ose financiarisht) për tokën që kanë pasur në pronësi. Të shtysh ish-pronarët që akoma të humbin kot kohë dhe energji me shfuqizimin e Ligjit për tokën, do të thotë ose tu bësh një përqafim prej ariu (pra ti mbysësh, duke u dashur të mirën), ose do të thotë ti gënjesh (sepse në fakt nuk dëshiron tu japësh gjë).