Thënia e njohur se “..edhe uji fle e shteti (policia) nuk fle”, nuk vlen për Policinë e Kosovës. Në ndërrimin e natës vetë forcat e rendit ia krisin gjumit. Inspektorati i Policisë së Kosovës (IPK) ka kryer inspektim të paparalajmëruar në natën e 24 majit 2013, në 34 stacione e Njësi të Trafikut Regjional.


Nga 2 mijë e 960 zyrtarë policorë që duhej të ishin në detyrë në ndërrimin e natës, në 34 stacione/njësi në tërë vendin, janë gjetur vetëm 300 policë. E nga 315 rreshterë që do të duhej të ishin në detyrë, atë natë ishin vetëm 31 të tillë.


IPK-ja i ka publikuar të gjeturat në dokumentin e quajtur “Vlerësimi i performancës policore gjatë ndërrimit të natës më 24 maj 2013, në Stacionet Policore dhe Njësitë e Trafikut Regjional”.


Nëse shifrat përkthehen në përqindje, del se 1.8 milionë banorë të Kosovës, natën sigurohen vetëm nga 300 policë e 31 rreshterë, që është vetëm 10% nga numri i pjesëtarëve të parashikuar për ndërrimin e natës./Tribuna/Indeksonline/