Autori i Lajmit: Redaksia


Pesë punonjës policie janë plagosur në protestën që Partia Socialiste zhvilloi dje pasdite në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.

Lajmi konfirmohet nga Drejtori e Policisë së qarkut të Tiranës nëpërmjet një njoftimi për shtyp të shpërndarë dje paradite.

Policia e Tiranës

Sipas policisë, pesë punonjësit e policisë, të cilët kanë pësuar lëndime të lehta janë goditur me gurë dhe sende të tjera të forta. “Në përfundim të tubimit, një grup prej 40 – 50 protestuesish goditën me gurë e sende të tjera të forta, punonjës të policisë, të cilët ishin të planizuar me shërbim për mbarëvajtjen e tubimit. Për pasojë, janë plagosur lehtë pesë punonjës policie, të cilët kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.”- thuhet në njoftimin për shtyp të policisë. Policia informon se nga strukturat e hetimit të krimit janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme procedurale, janë siguruar pamjet filmimet të ngjarjes dhe po punohet intensivisht për identifikimin e autorëve të goditjes së punonjësve të policisë.

Policia për tubimin

Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë informon se tubimi ishte i kundërligjshëm, pasi Partia Socialiste nuk kishte bërë asnjë njoftim paraprak për tubimin. “Ky tubim është organizuar nga subjekti Partia Socialiste në kundërshtim me Ligjin Nr.8773, datë 23.04.2001, “Për Tubimet”, duke mos bërë asnjë njoftim paraprak në Policinë e Tiranës sipas parashikimeve të neneve 5 dhe 7 të ligjit të mësipërm.” Megjithatë në komunikatë informohet se policia kishte marrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e zhvillimit normal të tubimit dhe për sigurimin e rendit e qetësisë publike në të gjithë territorin e qarkut Tiranë. Materialet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “Kundërshtimit të punonjësve të policisë së rendit publik”, parashikuar nga neni 236 të Kodit Penal.





Ky lajm është publikuar: 16/05/2010