Ministri i Drejtësisë përfiton të drejtën për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Burgjeve dhe shefat e sektorëve në këtë institucion. Kompetenca e kreut të dikasterit të Drejtësisë është miratuar në ligjin e ri për Policinë e Burgjeve, i cili është dekretuar nga Presidenti Topi në fund të vitit 2008 dhe hyn në fuqi në ditët e para të këtij viti. Nëse emërimi i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Burgjeve ka qenë një kompetencë që ministri i Drejtësisë e ka pasur edhe më parë, duket se të drejtat e tij për emërime në Policinë e Burgjeve janë zgjeruar dukshëm, duke i garantuar përfaqësuesit të ekzekutivit të drejtën e emërimit të shefave të sektorëve të Policisë së Burgjeve.
Ligji i ri
Ligji i ri për Policinë e Burgjeve i dekretuar nga Presidenti më 29 dhjetor 2008 ndalon mbajtjen e armëve vdekjeprurëse në institucionet e vuajtjes së dënimit. Dokumenti me nr. 10032, datë 11 dhjetor 2008, parashikon se armët që mund të mbajnë punonjësit gjatë shërbimit brenda në burg, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, siç duket duke nënkuptuar se mjete të tilla mund të jenë paralizuese. Sipas ligjit, i cili pas dekretimit nga Presidenti më 29 dhjetor 2008 është botuar në Fletoren Zyrtare dy ditë më pas, Policia e Burgjeve organizohet në sektorët e mëposhtëm: paraburgimet dhe burgjet, shoqërimi, armatim-municioni, ndërlidhja dhe informacioni. Pranë çdo burgu vendoset dhe funksionon shërbimi i posaçëm i ruajtjes së sigurisë. Në ligjin e ri, Policisë së Burgjeve, në raste të veçanta i ngarkohet edhe detyra e sigurimit dhe ruajtjes së objekteve të ndryshme në varësi të Ministrisë së Drejtësisë sipas përcaktimeve që mund të bëjë kreu i këtij institucioni. Ligji parashikon se marrëdhëniet e punës për policët e burgjeve ndërtohen në bazë të Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë. Koha e punës dhe e pushimit njësohet me atë të administratës publike, pushimi vjetor i pagueshëm është 30 deri në 45 ditë kalendarike. Ligji parashikon kompensim në lekë për rastet e pushimit të padhënë si dhe për orët shtesë në punë. Në raste fatkeqësish apo gëzimesh familjare, punonjësi i Policisë së Burgjeve ka të drejtë për shtatë ditë leje të pagueshme ose 1 muaj leje pa të drejtë page dhe pa llogaritje të këtij intervali kohor në vjetërsinë e punës.
Shërbimi
Një punonjës i Policisë së Burgjeve që ndodhet në pagesë kalimtare dhe që i plotëson kriteret për të vazhduar karrierën, ka më shumë shanse të punojë në këtë sektor sesa kandidatët e regjistruar për herë të parë. Ligji i ri parashikon se punësimi në Policinë e Burgjeve bëhet me konkurrim. Kriteret e përgjithshme për pranim në punë, të cilat përcaktohen nga ligji i ri, kanë të bëjnë me shtetësinë e aplikantit, zotësinë për të vepruar, gjendjen shëndetësore, fizike dhe mendore, arsimi përkatës dhe gjendja gjyqësore.
Drejtori i Përgjithshëm
Sipas ligjit të ri, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Burgjeve emërohet dhe lirohet në detyrë nga ministri i Drejtësisë në bazë të propozimit të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve. Për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, ligji ka vendosur kriteret e mëposhtme: arsimi i lartë dhe shërbimi në Policinë e Burgjeve ose Policinë e Shtetit për të paktën tre vjet me gradë madhore. Përgjegjësit e sektorëve në Policinë e Burgjeve emërohen nga ministri i Drejtësisë me propozim të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, specialistët në Drejtorinë e Policisë së Burgjeve apo punonjësit e rolit bazë emërohen nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve me propozim nga drejtori i Policisë së Burgjeve. Transferimi i punonjësve bëhet me pëlqimin e tyre dhe vetëm nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve me propozim nga drejtori i Policisë së Burgjeve. Punonjësit që nuk pranojnë transferimin mund të ankohen brenda 30 ditëve tek titullarët përkatës. Komandimi i policëve të burgjeve bëhet nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve dhe kjo periudhë nuk mund të zgjasë më shumë se tre muaj. Gjatë kësaj kohe, punonjësit të transferuar i ruhet vendi i punës ku merr pagën. Lirimi nga detyra në Policinë e Burgjeve ndodh kur punonjësi jep dorëheqjen, mbush moshën e pensionit, humbet aftësinë për të kryer detyra shtetërore, shkurtohet funksioni nga ristrukturimi, dënohet me vendim gjykate të formës së prerë ose ndaj tij merret masë disiplinore "largim nga Policia e Burgjeve". tr.so

Paga bazë mbi gradën, në fundviti shpërblimi shkon deri në një rrogë

TIRANE - Ligji i ri për Policinë e Burgjeve parashikon se "paga e punonjësve caktohet sipas gradës dhe funksionit që mban marrësi i saj". "Paga mujore përbëhet nga paga bazë, pra paga për gradë dhe shtesat mbi këtë bazë për kushte të tjera të veçanta gjatë shërbimit", thuhet në ligj. Sipas tij, punonjësit e Policisë së Burgjeve përfitojnë në fund të çdo viti financiar një shpërblim sipas vlerësimit të punës deri në një pagë mujore. Një sistem i tillë i pagave dhe vlerësimit në këtë aspekt, duket se është bazuar në skemën e përdorur nga Policia e Shtetit, e cila gjithashtu vitin që shkoi kreu një reformë totale mbi gradat dhe hierarkinë në radhët e saj, duke vendosur edhe pagën mujore të efektivave në varësi të këtyre përcaktimeve. Ajo që bie në sy është përcaktimi në ligjin e Policisë së Burgjeve, se punonjësit e kësaj strukture në çdo fundviti financiar mund të marrin shpërblime që arrijnë deri në vlerën e një page mujore.



Skema, si merren 8 gradat në hierarkinë e “gardianëve”

Trazhgim Sokolaj

Ligji i ri i Policisë së Burgjeve ka parashikuar një sistem krejtësisht të ri në strukturën e gradave, të cilat konsiderohen si elementi bazë që përcakton pagën e punonjësit.
Skema parashikon gjithsej tetë grada të grupuara në tre lloje funksionesh që përfshijnë gjithë hierarkinë dhe strukturën funksionale të Policisë së Burgjeve. Ligji parashikon se hierarkia në sistemin e gradave të Policisë së Burgjeve vendoset sipas renditjes: drejtues, komisar, inspektor. Brenda të njëjtit rol, hierarkia e punonjësve të Policisë së Burgjeve përcaktohet nga grada, ndërsa hierarkia për punonjësit me të njëjtën gradë përcaktohet nga funksioni si dhe për funksionet e njëjta, hierarkia përcaktohet nga vjetërsia në gradë. Ligji parashikon se ngritja në gradë nga "inspektor" deri në "drejtues i parë" bëhet me proces vlerësimi konkurrues, ku përfshihen raportet e vlerësimit të punës dhe një provim për testimin e aftësive të aplikantëve. Sipas ligjit, grada "nëninspektor" i jepet punonjësit të rolit bazë që në momentin e fillimit të punës për përfundimin e kursit bazë në qendrën e trajnimit. Punonjësit e policisë që konkurrojnë dhe hyjnë në qendrën e trajnimit, mbajnë gradën dhe pagën e tyre ekzistuese si gjatë kursit, ashtu edhe pas përfundimit të tij. Sipas ligjit të ri, ngritja në gradën "inspektor" bëhet pas përfundimit me sukses të periudhës 2-vjeçare të provës pas të cilës ndiqet një kurs formimi në qendrën e trajnimit. Ngritja në gradën kryeinspektor bëhet pas përfundimit të periudhës 2-vjeçare të provës pas të cilës ndiqet një kurs tjetër trajnimi. Ligji njeh të drejtën që punonjësit e policisë me arsim të lartë që kanë plotësuar 2/3 e qëndrimit në gradë mund të konkurrojnë në procesin e përzgjedhjes për ngritjen e gradës nga "kryeinspektor" në "nënkomisar". Në vjetërsinë për efekt grade, sipas ligjit llogaritet edhe koha e ndërprerjes së karrierës për shkak të paaftësisë së përkohshme shëndetësore, si pasojë e sëmundjes a dëmtimit, paaftësisë shëndetësore që nuk ka ardhur nga puna deri në 6 muaj, pezullimit apo largimit për shkaqe disiplinore dhe pezullimit deri në fund të hetimeve penale. Sipas ligjit të ri, në vjetërsinë për efekt grade nuk llogaritet koha e ndërprerjes së karrierës për shkak të lejes së përfituar pa të drejtë page dhe pezullimeve për shkaqe disiplinore. Sipas ligjit, ngritja në gradë e punonjësit nënkupton ngritjen e tij në detyrë dhe një veprim i tillë bëhet vetëm për të plotësuar vendet e lira në çdo gradë. Në urdhrin për dhënie grade, komisioni përkatës përcakton edhe funksionin që do të ketë punonjësi përfitues. Ngritja në gradë bëhet vetëm pas përfundimit me sukses të kursit të trajnimit për atë gradë. Në sistemin e gradave, ashtu si edhe në disa aspekte të tjera të ligjit të ri të Policisë së Burgjeve, duket se shembulli ka qenë ligji i Policisë së Shtetit i miratuar vitin që kaloi dhe i futur në zbatim po në 2008-ën.

Sistemi i gradave në burgje

Roli Bazë
    Nëninspektor
    Inspektor
    Kryeinspektor

Roli i Mesëm
    Nënkomisar
    Komisar
    Kryekomisar

Roli i Lartë
    Drejtues
    Drejtues i Parë


Koha për kalimin në gradë

Nga Inspektor në Kryeinspektor        2 vjet

Nga Kryeinspektor në nënkomisar       2 vjet

Nga nënkomisar në komisar                 3 vjet

Nga komisar në kryekomisar                3 vjet

Nga kryekomisar në Drejtues               3 vjet

Nga Drejtues në Drejtues i Parë       4 vjet



Grada madhore, firma e drejtë e ministrit

TIRANE - Pas të drejtës për të bërë emërimin e shefave të sektorëve në Policinë e Burgjeve, ligji i ri parashikon se ministri i Drejtësisë ka të drejtën të japë edhe gradat madhore dhe të përcaktojë komisionet për miratimin e tyre. Sipas ligjit të ri të Policisë së Burgjeve, ngritja deri në gradën "kryeinspektor" bëhet me urdhër nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve. Më tej, ngritja në gradën komisar bëhet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve mbi bazën e propozimit të bërë nga komisioni përkatës. Ngritja në gradën e rolit më të lartë bëhet nga ministri i Drejtësisë me propozim nga komisioni përkatës për dhënien e gradave. Sipas ligjit të miratuar së fundi, edhe komisionet për gradat e tjera përcaktohen me urdhra të Policisë së Burgjeve apo Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ndërsa komisioni për dhënien e gradave madhore, përcaktohet nga vetë ministri i Drejtësisë. Ky i fundit ka të drejta sipas ligjit të ri edhe në dhënien e masave disiplinore në Policinë e Burgjeve, kur masa të tilla u adresohen punonjësve që mbajnë grada të nivelit të lartë.