FIER - Policia e Fier ka dalë në një komunikatë për shtyp lidhur me incidentin “sipas Erla Mëhillit”, zëdhënëse e Kryeministrit Sali Berisha, e cila ka njoftuar policinë për  rrezikimin e jetës, duke udhëtuar me makinë për në Roskovec, për shkak të një veprimi të qëllimshëm dhe të papërgjegjshëm të ish-deputetit të PS, Arben Isaraj.
 
Policia ka shpjeguar se sot më datë 04.06.2013 rreth orës 09.00 në Sallën Operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier është marrë njoftim nga shtetesja Erla Mëhilli,  edhe  se në vendin e quajtur Kolonjë në autostradën Lushnjë - Fier është parakaluar nga një mjet tip Benz C, klasë me targa AA456AO, i cili ka bërë një parakalim të gabuar, duke rrezikuar jetën e personave, që ndodheshin në automjetin, që është parakaluar.
 
Me marrjen e këtij njoftimi Salla Operative e DPQ Fier ka organizuar shërbimet për bllokimin e mjetit.
 
Punonjësit e policisë se Patrulla e Përgjithshme kanë ndaluar rreth orës 09.07 min në vendin e quajtur Sheq i Madh Fier, makinën e përshkruar Benz me targa AA456AO dhe kanë konstatuar se kjo makinë drejtohej nga shtetasi Arben Isaraj.
 
Konform rregullave nga punonjësit e policisë, drejtuesit të mjetit i është njoftuar shkelja e bërë dhe shqetësimi i paraqitur në adresë të tij.
 
Nga ana e drejtuesit të mjetit është pranuar shkelja dhe pas kësaj ai është lënë i lirë të udhëtonte në drejtim të aksit rrugor Fier - Vlorë. Punonjesit e policisë kanë përpiluar raportin e ngjarjes, si dhe kanë mbajtur procesverbalin e konstatimit të shkeljes konform dispozitave të Kodit Rrugor.

Aktet administrative të përpiluara do t’i kalojnë Organit Administrativ Shtetëror të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier për të gjykuar shkeljen e konsumuar nga drejtuesi i mjetit me targa AA456AO.

REAGIMET E MËHILLIT DHE ISARAJT

Zëdhënësja e kryeministit Berisha, Erla Mëhilli ka denoncuar faktin se sipas saj deputeti socialist Arben Isaraj ka tentuar të devijojë nga rruga makinën me të cilën udhëtonin përfaqësues së zyrës së shtypit të kryeministrisë. Sipas Mëhillit incidenti ka ndodhur në autostradë rrugës për në Fier, ku kreu i qeverisë do të zhvillonte takimet elektorale në kuadër të fushatës së zgjedhjeve të 23 qershorit. Ngjarja është rrëfyer në profilin zyrtar të saj në rrjetin social Facebook, ndërsa në kundërpërgjigje, po online, Isaraj e ka mohuar incidentin, duke e vlerësuar si shpikje.

Mëhilli ka treguar versionin e saj, ku një makinë tip Mercedes Benz i është afruar makinës së përfaqësuesve të zyrës së shtypit, duke rrezikuar sipas saj përplasjen pas manovrave të rrezikshme. Sipas Mëhillit, ata kanë mësuar që në makinë ndodhej deputeti socialist vetëm, kur policia ka ndaluar automjetin e Arben Isaraj.

Por ky i fundit e ka mohuar një incident të tillë. “Zëdhënësja e Kryeministrit ka shpikur sot një skenar halucinant aksidenti, sipas të cilit, unë i jam vënë pas në rolin e "kamikazit", për ta "asgjesuar" fizikisht dhe për të "rrëmbyer' fjalimin e Roskovecit.”, ka shkruar në Facebook Isaraj.

Sakaq, më herët zëdhënësja e kryeministrit ka postuar dhe fshirë disa statuse nga profili i saj online, ku fillimisht tha: As që dua ta di as për të vëllain, që e ka kriminel dhe burgaxhi, as për atë vetë, as për atë që është deputet. Këtu do lahen te gjitha.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)