Pas afro një jave rrethimi të fshatit problematik të mbjelljes se hashashit, policia njofton se ka depërtuar më në fund në Lazarat duke nisur dhe operacionet antikanabis, raporton Vizion Plus.


Mësohet se në orët e para të mëngjesit gjatë kontrollit të befasishëm në lagjen Bregu i Spilos janë zbuluar 600 fidanë në kubike, gati për tu mbjelle në parcele. Gjithashtu janë sekuestruar edhe 100 kilogramë marijuane. Lënda narkotike është gjetur ne banesën e Xhelo Rabit, 59 vjeç, i cili është vënë në prangat e policisë. Mësohet se në komisariat është shoqëruar edhe bashkëshortja e Rabit. Në operacionin e koduar Kubiku u angazhuan veç efektiveve te Gjirokastrës edhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe Delta Force. Policia bën me dije se do të vijojë kontrollet në fshatin e Lazaratit. Prej ditësh në hyrje të fshatit është vendosur një postbllok që kontrollon hyrje- daljet ne fshat. Javën e kaluar u shoqëruan mbi 170 persona, burra e gra te punësuar nga kultivuesit e drogës ne Lazarat. Megjithatë ende nuk është sqaruar nëse ky është një aksion i gjerë, apo policia ka bastisur një shtëpi.