Me anë të një deklarate për mediat, Policia e Shtetit ka publikuar akset rrugore që do të bllokohen si pasojë e protestës së opozitës ditën e nesërme.


Plani i masave që është hartuar nga uniformat blu është më i përforcuar se gjatë protestave të fundit që ka zhvilluar opozita.


Të paktën 1500 efektivë pritet të jenë në terren , për të blinduar, ministrinë e Brendshme dhe Kryeministrinë, dy institucionet ku do të zhvillohet manifestimi. Policia e shtetit do të kalojë në gatishmëri të përforcuar që prej mbrëmjes së të premtes ndërsa në gatishmëri do të kalojë po ashtu edhe policia e burgjeve dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe ato të Renea-s.


DEKLARATË E POLICISË SË SHTETIT PARA TUBIMIT


Policia e Shtetit për tubimin e subjektit politik Partia Demokratike, parashikuar të zhvillohet në datë 26 Maj 2018, ora 11:00 në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, do të bllokojë qarkullimin e automjeteve në disa akse rrugore të brendshme të Tiranës.


Duke filluar nga ora 00:00 e datës 26 maj, deri në përfundimin e tubimit nuk do lejohet qarkullimi i mjeteve në rrugët:


Bulevardi Dëshmorët e Kombit, nga kryqëzimi i rrugës Bajram Curri deri tek kryqezimi i rrugës Abdyl Frashëri dhe anasjelltas;


Rruga Ismail Qemali nga degëzimi me rrugën Papa Gjon Pali II deri tek Bulevardi Deshmorët e Kombit do të jetë e bllokuar;


Rruga Papa Gjon Pali II nga degëzimi me Bulevardin Bajram Curri, deri tek degëzimi i rrugës Themistokli Germenji dhe anasjelltas, do të jetë e bllokuar dhe nuk do të lejohet parkimi i mjeteve në të dy anët e rrugës;


Duke filluar nga ora 07:00 e datës 26 maj deri në përfundim të tubimit, nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve të të gjitha kategorive nga Bulevardi Dëshmorët e Kombit në drejtim të rrugës Abdi Toptani.


Devijimet do të prekin edhe linjat e transportit publik, ku linja e Tiranës së Re do të kthehet tek sheshi Ëillson, linja e Kamzës do të kthehet tek sheshi para ish-Kafe Florës, linja e Saukut do të kthehet tek rruga 28 Nëntori pranë Sahatit.


Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e operatorëve të transportit publik qytetas, që ditën e shtunë deri në përfundim të protestës, të mos përdoren mjetet e transportit artikular, për shkak të devijimeve dhe bllokimeve që do të bëhen për arsye sigurie.


Të shtunën, nga ora 07:00 deri në përfundim të protestës brenda Unazës së Madhe dhe rrugëve të tjera të brendshme, nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë të të gjitha kategorive.


Mjetet e transportit të pasagjerëve që do të vijnë nga qytetet e tjera nuk do të lejohen në brendësi të Tiranës, përveç vendeve të miratuara nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, që janë:


Pallati i sportit Asllan Rusi, në rrugën Dritan Hoxha;

Pallati me shigjeta në rrugën Konferenca e Pezës;

Rreth-rrotullimi i Fakultetit Ekonomik në rrugën e Elbasanit;

Ura e Brrylit në Bulevardin Zhan DArk.


Mjetet e transportit që vijnë nga rrethet pasi të zbresin qytetarët në vendet e caktuara sipas Planit të Masave, do të kthehen dhe vendosen:


Mjetet që vijnë nga rreth-rrotullimi i Fakultetit Ekonomik do të vendosen në rrugën Shahin Toci pranë Terminalit të Jug-Lindjes;

Mjetet që vijnë nga sheshi Shqiponja do të vendosen në rrugën Teodor Keko;

Mjetet që vijnë nga Pallati me shigjeta në rrugën Teodor Keko;

Mjetet që vijnë nga pjesa lindore e qytetit, do të sistemohen përballë Maternitetit të Ri.


Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin për largimin e mjeteve të parkuara në rrugët e sipërpërmendura, në të kundërt do të spostohen me mjete ngritëse.


Gjithashtu luten qytetarët që të shmangin përdorimin e panevojshëm të automjeteve ditën e nesërme, sidomos në segmentet që lidhin qendrën e qytetit me Bulevardin Dëshmoret e Kombit, për shkak të devijimeve dhe kufizimeve, deri në përfundim të tubimit.


25 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)