TIRANE-Ligji i ri për Policinë e Shtetit përcakton se 448 efektivë policie mund të përfitojnë kredi të butë, me interesin 3% në shumën 3 milionë lekë të reja. Sipas ligjit të ri, është parashikuar kuota: 5 për qind e punonjësve të policisë kanë mundësi që të përfitojnë nga kjo kredi, për të cilën është parashikuar një fond prej 120 960 000 lekë. 

Duke iu referuar ligjit të ri për uniformat blu, për policët që plotësojnë kushtet për të marrë kredi me interesa të buta, është planifikuar që të jepet një kredi mesatare prej 3 milionë lekësh. Ndërkohë që ligji parashikon që 5 për qind e policëve që do të përfitojnë nga kjo kredi, u duhet të paguajnë interesin vjetor prej 27 mijë lekësh. 

"Lidhur me të drejtën për përfitim kredie me interesa të buta, sipas nenit 65, 'E drejta për përfitim kredie me interesa të buta', për buxhetin që duhet të planifikojë çdo vit Drejtoria e Policisë së Shtetit, për pagesën e rimbursimit të interesave prej 3 për qind për kreditë e buta që do të përfitojnë punonjësit e policisë, kemi përllogaritur që nëse përfitues do të jenë 5 për qind e tyre ose 448 persona, për një kredi mesatare prej 3 000 000 lekësh, në vit përllogariten 12 096 mijë lekë efekt financiar nga pagesa e interesave (interesi vjetor për një kredi 27 000 lekë)", citohet në relacionin shpjegues për Ligjin e ri të Policisë së Shtetit. 

BYROJA E HETIMIT
Një tjetër risi në radhët e policisë do jetë edhe fakti që punonjësit e Byrosë Kombëtare të Hetimit do të trajtohen me shtesë në pagë, në masën 100 për qind. Në ligjin e ri është llogaritur që paga mesatare e një punonjësi të Byrosë të jetë 76 032 lekë. Ndërkohë, që efekti financiar për këtë shtesë llogaritet që të jetë 45 612 000 lekë. Në total, në Byro do jenë të punësuar 50 punonjës. "Në nenin 33 përcaktohet se punonjësi i Byrosë Kombëtare të Hetimit do të trajtohet me 100% shtesë të pagës referuese, për rrjedhojë efekti financiar i kësaj shtese për një personel prej 50 vetash përllogaritet të jetë: 50 vetë 76,032 pagë mesatare * 12 muaj = 45 619 mijë lekë", citohet në relacionin shpjegues për ligjin e ri. 

PUNONJESIT E BYROSE
Në ligjin e ri për efektivët e policisë përcaktohen edhe kriteret për përzgjedhjen e punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Përzgjedhja bëhet nëpërmjet një procesi konkurrimi transparent, sipas rregullave e procedurave të përcaktuara në rregulloren e Policisë. "Punonjësi i Byrosë Kombëtare të Hetimit përzgjidhet nga radhët e punonjësve të policisë ose të personave me njohuri të posaçme sipas përcaktimit të nenit 36, të këtij ligji", citohet në nenin 30 të ligjit të ri. Ndërkohë, që emërimi i këtyre punonjësve bëhet nga kreu i Policisë së Shtetit dhe për oficerët e Policisë Gjyqësore merret miratimi paraprak i prokurorit të përgjithshëm. 

Sipas ligjit të ri që është miratuar në qeveri, duhet që një punonjës i Byrosë të ketë jo më pas se 7 vjet përvojë pune në fushën ku kërkohen njohuritë përkatëse. "Punonjësi i Byrosë Kombëtare të Hetimit duhet të përmbushë këto kritere: të ketë arsimin policor ose juridik; të ketë eksperiencë mbi 5 (pesë) vjet në hetimin e veprave penale në fushën e korrupsionit, krimit të organizuar ose krimeve të rënda; të mos jetë nën efektet e një mase disiplinore. Për funksione të veçanta në Byronë Kombëtare të Hetimit, përveç kritereve të përcaktuara në nenet 35 e 36, të këtij ligji, punonjësi duhet: të ketë përfunduar arsimin e lartë përkatës; të ketë jo më pak se 7 (shtatë) vjet përvojë pune në fushën ku kërkohen njohuritë e veçanta", citohet në nenin 31 të ligjit të ri.
 
NENET E PLOTA TE LIGJIT
Neni 27
Drejtuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit
1. Drejtuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit emërohet nga ministri, me propozimin e drejtorit të Policisë së Shtetit për një periudhë katërvjeçare dhe në momentin e emërimit i jepet grada "Drejtues i lartë".
2. Drejtuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit mund të emërohet nga radhët e Policisë së Shtetit ose të prokurorëve në detyrë. Pas përfundimit të mandatit, me pëlqimin e tij, ai ka të drejtë të emërohet në funksionin e mëparshëm ose në një funksion të barasvlershëm me vendin e mëparshëm.
Neni 28
Kriteret e emërimit të drejtuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit
Drejtuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit duhet të përmbushë këto kritere:
a) Të ketë arsim policor ose juridik.
b) Të ketë gradën policore "Drejtues i parë" për punonjësin e policisë.
c) Të ketë eksperiencë mbi 10 (dhjetë) vjet në hetimin e veprave penale në fushën e korrupsionit, krimit të organizuar ose krimeve të rënda.
ç) Të ketë aftësi të larta profesionale.
d) Të ketë cilësi të larta morale.
dh) Të mos jetë nën efektet e një mase disiplinore.
Neni 31
Kriteret e emërimit të punonjësit të Byrosë Kombëtare të Hetimit
1. Punonjësi i Byrosë Kombëtare të Hetimit duhet të përmbushë këto kritere:
a) të ketë arsimin policor ose juridik
b) të ketë eksperiencë mbi 5 (pesë) vjet në hetimin e veprave penale në fushën e korrupsionit, krimit të organizuar ose krimeve të rënda
c) të mos jetë nën efektet e një mase disiplinore.
2. Për funksione të veçanta në Byronë Kombëtare të Hetimit, përveç kritereve të përcaktuara në nenet 35 e 36, të këtij ligji, punonjësi duhet:
a) të ketë përfunduar arsimin e lartë përkatës
b) të ketë jo më pak se 7 (shtatë) vjet përvojë pune në fushën ku kërkohen njohuritë e veçanta
Neni 65
E drejta për përfitim kredie me interesa të butë
1. Punonjësi i policisë përfiton kredi për strehim me një interes në masën 3%.
2. Rimbursimi i interesave të kredisë ndërpritet për punonjësin e policisë vetëm në rastin kur ai/ajo përjashtohet nga policia.
3. Kriteret për përfitimin e kredisë për strehim dhe masa e saj përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

(a.n/GSH/BalkanWeb)