KALLXO.com është informuar nga qytetarët se në shkollën “Naim Frashëri” në Podujevë disa nxënës kishin postuar në Facebook fotografi të testit të maturës.
Informacioni i marrë menjëherë është ndarë me zyrtarët e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, të cilët së bashku me zyrtarët e policisë kanë shkuar në këtë shkollë dhe i kanë identifikuar nxënësit të cilët i kanë kryer këto postime.
Nehat Mustafa, kryetar i Komisionit Kombëtar të Maturës, ka konfirmuar se pas marrjes së informatës, MAShT dhe policia i ka identifikuar dy nxënësit.
“Njëri nga nxënësit ka përdorur telefonin celular dhe me të i ka shpërndarë fletë të testit të fotografuara në Facebook dhe Viber”, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, tentativa për të kopjuar në këtë formë është ndërprerë në fillimin e saj dhe fatmirësisht nxënësit e tjerë nuk kanë pasur qasje në këtë postim. Nxënësit për momentin janë duke dhënë deklarata për atë çfarë ka ndodhur.
Raportohet se nxënësi i Gjimnazit “Ismail Qemali” në Kamenicë, po i mbajnë telefonat në bankat e tyre shumë afër vetes.
Monitoruesit tregojnë se në shkollën “Marin Barleti” në Gjilan është përjashtuar një nxënës.
Një nxënës tjetër është larguar e më pas kthyer sërish në Malishevë. Sipas monitoruesit, administratori i qendrës e ka larguar këtë nxënës nga testi për shkak se ka pasur zhurmë mirëpo ai është kthyer pas pak dhe është vendosur në një klasë tjetër.
Në shkollën “Vëllezërit Frashëri” në Deçan poashtu raportohet se një nxënës është larguar nga testimi për shkak se disa herë e ka prishur qetësinë.
Ndërsa në Gjakovë, është dashur ndërhyrja e drejtorit dhe sekretarit të shkollës “Kadri Kusari” për t’i bërë të mundur një nxënëseje të kësaj shkolle që të futet në testim pa letërnjoftim. /KALLXO.com/