Studentët që kanë përfunduar studimet me rezultate të larta mund të aplikojnë për tu bërë pjesë e Policisë së Shtetit. Aplikimi mund të bëhet duke filluar nga nesër dhe policia ka bërë publike edhe rregullat që duhet të ndiqen.


Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu duke a urdhrin e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj ka përcaktuar kriteret për aplikantët, ndërsa si fillim është njoftuar se në total do të rekrutohen 150 studentë.


Nga 1 Shkurti hapet aplikimi për studentët që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta për tu bërë pjesë e Policisë së Shtetit.


Në zbatim të urdhrit të Ministrit të Brendshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka përcaktuar kriteret për rekrutimin e 150 studentëve që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta dhe dëshirojnë të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit.


Kriteret e përgjithshme për pranimin në Akademinë e Sigurisë e këtyre kandidatëve:


të jenë shtetas shqiptarë;


të mos jenë të përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të Sigurisë Kombëtare apo të jenë larguar nga shërbimi civil;


të kenë zotësi të plotë për të vepruar;


të jenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të aftë fizikisht, për të kryer detyrën;


të mos jenë të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e ndonjë krimi apo për kryerjen e ndonjë kundravajtjeje penale me dashje;


të jenë të pajisur me vërtetim besueshmërie;


të kenë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B.


Ndërsa kriteret e veçanta që duhet të plotësojnë për tu pranuar në këtë cikël janë:


të kenë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në shkencat juridike, shkencat ekonomike (degët ekonomi, financë) ose shkencat kompjuterike (degët informatikë, elektronikë):


të jenë në moshë jo më shumë se 29 vjeç;


të kenë mesataren e cikleve të studimit mbi 8;


të jenë me gjatësi jo më pak se 175 cm për meshkujt dhe jo më pak se 165 cm për femrat;


të kenë njohuri të gjuhës angleze në nivelin mbi 60 pikë sipas standardit ALCPT.


Aplikimet duhet të bëhen nëpërmjet portalit të Akademisë së Sigurisë, nga data 1 Shkurt 2019 deri në datë 15 Shkurt 2019, ndërsa dosja fizike e aplikimit duhet të dorëzohet pranë Drejtorive Vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm.


Aplikantët që plotësojnë kriteret dhe paraqesin dokumentacionin e kërkuar, më pas do tu nënshtrohen fazave të vlerësimit:


-Vlerësimi sipas notës mesatare, e cila përfitohet nga mesatarja e mesatares së ciklit të parë dhe të dytë të studimeve në të njëjtin profil arsimor, si dhe ata me mesatare të njëjtë sipas institucionit ku aplikanti ka përfunduar shkollimin;


vlerësimi i njohurive të gjuhës angleze sipas standardit ALCPT;


intervistimi i aplikantëve;


kontrolli shëndetësor;


marrjes së shenjave të gishtave;


verifikimi përfundimtar i aplikantit.


Kjo hapje e Policisë së Shtetit për të rekrutuar studentë të diplomuar me rezultate të larta, bëhet pas ndryshimeve në ligjin për Policinë e Shtetit, me qëllim afrimin e kapaciteteve profesionale për strukturat e hetimit të Policisë Kriminale, parandalimit të pastrimit të parave dhe krimit kompjuterik, me gradën nënkomisar.


Gazeta Shqip