Efektivë të policisë kanë vëzhguar dje shtëpinë e Konomit dhe të gjithë personat që morën pjesë në funeral





Flet Ylli Kelmendi: Franc Konomin e kisha mik. Nuk më kishte thënë se ndihej i kërcënuar





TIRANË- Franc Konomi i vrarë të enjten paradite në Tiranë, u përcoll dje për në banesën e fundit nga një grup i vogël miqsh të afërmish e dashamirësish.





Deri në orën 16:00 të pasdites, në shtëpinë e thjeshtë përdhese të prindërve të tij në rrugën "Haxhi Sinani", ku priteshin njerëzit, miqtë, të afërmit, e dashamirësit që ngushëllonin familjen herë pas here mbërrinin aty, të tymosnin cigaren e fundit në nder të mikut të tyre.





Shtëpia e Konomëve, ndodhet në një rrugicë të ngushtë në kryqëzimin e rrugës "Haxhi Sinani", me rrugën "Thanas Ziko", jo shumë larg gjimnazit "Partizani".

Prindërite Francit, jetojnë në një banesë private njëkatëshe, mes rrugicave të shtëpive të vjetra të zonës.





Në hyrje të banesës, qëndron njëri prej shokëve të viktimës, i cili tregon se në lagjen ku banonte Konomi, nuk ka pasur asnjë problem apo konflikt me ndonjë person. Ndërkohë të afërmit e tjerë që prisnin ngushëllimet shprehen të shqetësuar për krimin dhe reagimin e dobët sipas tyre të policisë.





Të afërmit e Franc Konomit, thanë se policia nuk ndërhyri shpejt për të dërguar trupin në spital, ndërsa shtojnë: Policia nuk duhet të abuzojë me të kaluarën e viktimës, duke e etiketuar Francin si një person me precedentë penalë.





Ylli Kelmendi, një prej miqve më të ngushtë të tij tha dje për "Shekullin": "Franc Konomi nuk ka pasur konflikte me njeri dhe jetonte i qetë në shtëpinë e tij". Ai thotë se miku i tij, ishte kthyer me 2 korrik të këtij viti nga Gjermania, për të pushuar në shtëpinë e tij në Tiranë. "Francin unë e kam pasur shok, që kur ishim në moshë shumë të re, kur ai ishte 17 vjeç dhe unë isha 20.





Rrinim bashkë dhe unë nuk kam dëgjuar që ai të kishte marrë kërcënime nga njerëz të ndryshëm. Jeta këtu është e pasigurtë dhe vrasja është e mbushur me plot mister",- tha Kelmendi. Rreth orës 16.00, trupi i pajetë i Franc Konomit u përcoll për në banesën e fundit, i shoqëruar nga një grup i vogël miqsh dhe të afërmish.





Por gjatë kohës që në shtëpinë e Konomit priteshin njerëz për ngushëllime, si dhe kur kortezhi i përmortshëm, shoqëronte arkivolin me trupin e viktimës, një numër jo i vogël oficerësh agjentësh dhe punonjësish policie qëndruan në distancë duke vëzhguar lëvizje të personave të ndryshëm që merrnin pjesë në kortezhin mortor.





Në asnjë moment efektivët e policisë nuk kanë pasur kontakt me pjesëtarë të familjes, apo persona të tjerë që merrnin pjesë në mort, por ata janë munduar të regjistrojnë gjithçka. Efektivët e policisë kanë ruajtur kortezhin edhe në momentin kur u bë varrimi i Konomit.



Franc Konomi kishte ndryshuar mbiemrin





Viktima, vitet e fundit kishte bërë dhe një ndryshim të mbiemrit të tij, nga Konomi në Pojana, duke marrë mbiemrin e bashkëshortes së tij. Franc Konomi u ekzekutua me shtatë plumba pistolete në të enjten rreth orës 11.40, në rrugën "Luigj Gurakuqi", pranë sheshit "Avni Rustemi", nga persona ende të pa identifikuar.





Lidhur me këtë ngjarje, zyrtarisht policia e kryeqytetit konfirmoi dje se po hetohet në disa pista për të identifikuar autorët e vrasjes dhe zbardhur motivet e ngjarjes.