06-05-2012 / Gazeta 55

Kreu i opozitës, Rama i vetëm, s’e shoqërojnë as aleatët

Politika nderoi dje dëshmorët e Atdheut, me rastin e 5 majit, Ditës së Dëshmorëve të Atdheut. Në ceremoninë e organizuar nga autoritetet shtetërore në memorialin “Nënë Shqipëri”, kreu i qeverisë Sali Berisha shoqërohej nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, kryetari i Bashkisë Lulzim Basha dhe nga mjaft personalitete të mazhorancës.
Kryeministri Berisha vendosi një kurorë me lule në përkujtim të veprës së atyre që sakrifikuan jetën dhe rininë e tyre për lirinë dhe dinjitetin kombëtar. Kryeministri tha se sot bëjmë nderimin më të madh ndaj atyre që të gjithë ne u detyrojmë më të shtrenjtën gjë që ka njeriu i qytetëruar, dinjitetin dhe lirinë. Ata flijuan gjithçka, theksoi Kryeministri, që ne sot të festojmë 100 vjetorin e Shqipërisë së pavarur të lirë, kudo që ndodhemi në trojet tona. “Kjo është një ditë në të cilën fjalët kurrë nuk mund të shprehin atë që ndjen zemra dhe shpirti, për të gjithë ata të cilët flijuan jetën, rininë, flijuan gjithçka që ne sot të festojmë 100 vjetorin e Shqipërisë së pavarur të lirë, kudo që ndodhemi në trojet tona. Ideali i tyre kombëtar ishte liria e kombit dhe sot shqiptarët janë të lirë, kudo që ndodhen. Ata luftuan që trojet shqiptare të jenë të bashkuara dhe trojet shqiptare sot janë të lira dhe në përpjekjen e tyre për t’u bashkuar në të ardhmen evropiane që meritojnë. 100 vjet më parë, me mijëra e mijëra burra e gra shqiptare, u flijuan që Shqipëria të bëhej e pavarur dhe e lirë. Në luftën e dytë botërore, mijëra e mijëra shqiptarë, djem e vajza, rrokën armët dhe u përballën me armikun më të egër që kohërat kishin njohur, derdhën gjak, luftuan me trimëri të madhe, çliruan vendin, në kuadër të një koalicioni antifashist botëror. Shqipëria, më pas, ra në zgjedhën më të egër që ajo kishte njohur në tërë historinë e saj. Një diktaturë mizore u vendos në këtë vend dhe e shkëputi Shqipërinë nga trungu evropian. Sërish, në pothuajse gjysmë shekulli diktaturë, me dhjetëra e mijëra shqiptarë flijuan jetën e tyre, u burgosën, u persekutuan, provuan torturat e kampet e përqendrimit, vetëm e vetëm për të mbrojtur ato vlera që janë sa njerëzore aq dhe hyjnore, liritë themelore të njeriut”, u shpreh kreu i qeverisë, Berisha.
Por, Kryeministri nënvizoi se secili prej tyre që prehet sot në flamurin e kombit, kur vështron kombin e tij, i cili 100 vjet më parë përpëlitej midis ekzistencën e mosekzistencës së tij si shtet, sheh sot një Shqipëri anëtare të NATO-s, një Shqipëri që rend me ritmet më të shpejta, për të kapur dekadat e pse jo, shekujt, që iu grabitën asaj nga diktatura e pushtimet, sheh shqiptarë që janë të lirë e të sigurt në të ardhmen e tyre.
“Pas 100 vitesh, sot ne duhet të përulemi me nderim të madh, 100 herë, para të gjithë atyre që sakrifikuan jetën dhe rininë e tyre. Le të shprehim nderimin më të madh ndaj familjeve të tyre, për më të dashurit që ata humbën për lirinë kombëtare. Por, secili prej tyre që prehet sot në flamurin e kombit, kur vështron kombin e tij, i cili 100 vjet më parë përpëlitej midis ekzistencën e mosekzistencës së tij si shtet, sheh sot një Shqipëri anëtare të NATO-s, një Shqipëri që rend me ritmet më të shpejta, për të kapur dekadat e pse jo, shekujt, që iu grabitën asaj nga diktatura e pushtimet. Sheh shqiptarë që janë të lirë, kudo që janë, janë të sigurt në të ardhmen e tyre. Ndaj, edhe njëherë, le të shprehim nderimin më të madh ndaj atyre që të gjithë ne u detyrojmë më të shtrenjtën gjë që ka njeriu i qytetëruar, dinjitetin dhe lirinë”, tha më tej kryeministri Berisha. 

Mungon Topi, Rama i vetëm
Ndërkaq, në homazhet shtetërore të Ditës së Dëshmorëve mungoi Presidenti i Republikës, Bamir Topi të cilin e “mbuluan” dy gra misterioze dhe që në pamje të parë dukeshin sikur s’kishin asnjë lidhje me autoritetet shtetërore.
Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, zyra e shtypit pranë Presidentit njoftoi se Bamir Topi mungoi në ceremoni për shkak të një vizite në shtetin fqinj, Itali.
Po ashtu, për çudinë e të gjithëve Edi Rama mbërriti te memoriali “Nënë Shqipëri” krejt i vetëm, i pa shoqëruar nga asnjë funksionarë i partive aleate.
Mesazh i qartë ky se opozita e bashkuar është thjesht një koncept teorik dhe aspak një fakt i bashkëpunimit dhe funksionimit të së majtës. Ish aleatët s’pranuan të dalin përkrah Edi Ramës sa për sy e faqe as në Ditën e Dëshmorëve të Atdheut. Kjo do të thotë se Edi Ramën s’e shpëtojnë mëkatet ndaj partive të vogla të majta.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli
Në ditën e 5 Majit, kryetarja e Kuvendit, kreu homazhe te Varrezat e Dëshmorëve. Së bashku me Kryeministrin Sali Berisha, ministra, deputetë, Kryetarja e Kuvendit bëri nderimet e rastit dhe vendosi një kurorë me lule tek monumenti “Nënë Shqipëri”.
Më pas Jozefina Topalli u takua me familjarë të dëshmorëve, të afërm të tyre dhe veteranë, që ishin të pranishëm në ceremoni. kryetarja e kuvendit, kryen homazhe te Varrezat e Dëshmorëve. Në vijim të ceremonialit për ditën e 5 Majit, Kryetarja e Kuvendit së bashku me Kryeministrin Berisha zhvilluan një vizitë tek shtëpia e Heroit të Demokracisë Azem Hajdari. Kryeministri Berisha theksoi se, aspiratat dhe ëndrrat e Azem Hajdarit dhe mijëra shqiptarëve të tjerë, që sakrifikuan jetën për liri dhe demokraci, janë të realizuara; Shqipëria është anëtare e NATO-s, dhe qytetarët e saj qarkullojnë të lirë, pa viza në Evropë.
Kryetarja e Kuvendit vizitoi dje dhe familjen e Dëshmorit të Atdheut, Kapiten Feti Voglit, i cili ra në krye të detyrës, në mbrojtje të lirisë dhe sigurisë në Kandahar, Afganistan. Kryetarja e Kuvendit i tha familjarëve, miqve dhe kolegëve, se të gjithë shqiptarët ndihen krenarë për figurën dhe misionin fisnik të kapiten Feti Voglit.
“Sot ne përulemi me nderim për kurajon dhe vendosmërinë e Feti Voglit. Ai është simbol i guximit dhe i idealizmit për të gjithë shqiptarët”, u shpreh kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Ministri i Mbrojtjes Arben Imami
Pas përfundimit të ceremonisë para monumentit Nënë Shqipëri, ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi bënë homazhe dhe vendosën një kurorë me lule pranë varrit ku prehet dëshmori më i ri i atdheut, kapiten Feti Vogli, i cili ra në krye të detyrës gjatë kryerjes së misionit paqeruajtës në Kandahar të Afganistanit, më 20 shkurt të këtij viti. Gjithashtu ministri Imami dhe gjeneralmajor Gjunkshi, të shoqëruar edhe nga komandanti i Forcave Tokësore, gjeneral brigade Viktor Berdo dhe ai i Forcave Ajrore, gjeneral brigade Dhori Spirollari, kryen homazhe edhe pranë varrezave ku prehen trupat e pilotëve që kanë shërbyer në Forcat e Armatosura dhe kanë dhënë jetën në krye të detyrës. Këtu ata u takuan me familjarët e të rënëve dhe i shprehën atyre ngushëllimet më të thella. 
Po dje, ministri i Mbrojtjes Imami i shoqëruar nga komandanti i Forcave Tokësore, gjeneral brigade Viktor Berdo, ka vizituar familjen e dëshmorit Feti Vogli në fshatin Baldushk të Tiranës. Ata janë pritur nga familjarët, miqtë dhe të afërmit e dëshmorit, si dhe nga komandanti i Batalionit të Forcave Speciale, kolonel Dritan Demiraj dhe efektivë të kontingjenteve që kanë shërbyer në Afganistan. Ministri Imami, duke përkujtuar jetën dhe aktin heroik të kapiten Feti Voglit, theksoi se djali i tyre do të mbetet i paharruar, jo vetëm për ta, por edhe për Forcat e Armatosura dhe të gjithë shqiptarët. Sot djali juaj përkujtohet me nder dhe respekt nga shokët e tij, nga eprorët, nga çdo punonjës i Forcave të Armatosura, pasi jeta e tij u shua në një moshë fare të re, në mbrojtje të lirisë dhe paqes, është shprehur ministri Imami.

...