13/05/2010 Forum i hapur
“Politikat kulturore dhe strategjia e kulturës në Shqipëri”, kjo është tema e debatit të forumit të hapur të organizuar dje nga shoqata “Miqtë e Muzikës”. Mbështetur nga OSFA-SOROS, në forum morën pjesë anëtarë të grupeve të punës për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Kulturën dhe Artin në Shqipëri, drejtues të lartë dhe të drejtorive të MTKRS-së, drejtues të institucioneve shtetërore artistike (Teatri Kombëtar, TKOB, GKA) personalitete të komunitetit të artistëve, si dhe nga organizatat jofitimprurëse që operojnë në fushën e arteve dhe kulturës.
Prej vitesh, përpjekjet për politika apo strategji sektoriale kanë ekzistuar, por që në formë përfundimtare, me gjithë punën e bërë vitet e fundit, ende ky produkt i domosdoshëm për rrjedhat e zhvillimeve kulturore nuk ka marrë formën e tij përfundimtare. Sipas organizatorëve, kjo është dhe arsyeja e organizimit të këtij Forumi të hapur debati: Nxitja për të pasur përfundimisht një strategji kombëtare për artin dhe kulturën në Shqipëri si dhe planin e saj të veprimit.
“Ende mosnënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit me BE për Kulturën, bën që organizatat dhe institucionet shqiptare të kësaj fushe, megjithëse janë në gjendje të konkurrojnë për fonde kulturore, përsëri ato nuk mund të marrin dot pjesë në konkurset e thirrjeve për propozime që Drejtoria e përgjithshme për Edukimin dhe Kulturën të Komisionit Evropian nxjerr herë pas here”, shprehet Pjetër Guralumi, drejtues i projektit dhe moderator i debatit.
Programet e Komisionit Evropian janë në një evoluim të vazhdueshëm. Vendit të programit “Culture 2000 – 2006” iu bashkëngjit programi i ri, ai i “Culture 2007-2013”.
“Nëse llogarisim se programi evropian ‘Culture 2007-2013’ ka ardhur thuajse në mesin e tij dhe duke ditur që tashmë Komisioni Evropian do të nisë shumë shpejt një fushatë konsultimesh online për të marrë e mbledhur opinione nga ‘stakeholders kulturorë’ mbi brezin e ri të Programeve të Kulturës, nuk mbetet gjë tjetër që shqiptarët, MTKRS dhe të gjithë institucionet apo organizatat që punojnë në sektorin e kulturës të orientohen sa më parë me zhvillimet më të fundit që vijnë nga Brukseli dhe të mund të orientojnë politikat afatshkurtra e afatmesme sipas strukturave dhe instrumenteve me të cilët operon Komisioni Evropian”, vijon Guralumi.
Në debat merrnin pjesë Etleva Kolnikaj, drejtore ekzekutive e shoqatës “Miqtë e Muzikës”, Bardhyl Londo, këshilltar i Ministrit Ferdinand Xhaferri, i cili lexoi edhe përshëndetjen e ministrit të TKRS-së, Mimoza Sofroni, drejtoreshë e drejtorisë së projekteve; Ermir Nika nga grupi hartues i strategjisë së kulturës; Mark Marku, deputet, profesor në Fakultetin e Filologjisë, departamenti i gazetarisë, kritik arti; Erion Kristo; Gentian Çoçoli; Vasil Tole, akademik; pianistja Rudina Ciko; Petrit Malaj, rektor i Akademisë së Arteve; Arben Llozi, Zv/rektor i Akademisë së Arteve; Besim Petrela, drejtor i SCP in “Western Balkans”; Eloise Le Petit, ambasada e Francës; Florentia Kiortsi, ambasada e Greqisë; Shaqir Rexhvelaj, ish-drejtor i Drejtorisë së Politikave Kulturore të MTKRS-së; Nikolina Gjordeni, drejtore e zyrës shqiptare e të Drejtave të Autorit; Juliana Sinanaj, regjisore e re, fituese e fondit të të rinjve 2008; Linda Subashi, shoqata “Syri Blu”.
Debatet e Forumit të Hapur u fokusuan në tre drejtime: Mungesa aktuale dhe nxitja për të hartuar e zbatuar një strategji kombëtare për artin dhe kulturën në Shqipëri; Politikat buxhetore në art dhe sfidat e decentralizimit institucional dhe financiar të kulturës; Zbatimi i të drejtës së autorit përballë globalizimit kulturor e teknologjive të informacionit. Kryetari i grupit hartues të strategjisë, zoti Marku shpjegoi fazat nëpër të cilat ka kaluar drafti i strategjisë kombëtare të kulturës dhe u shpreh për gatishmërinë në mirëpritjen e sugjerimeve dhe opinioneve me shkrim në lidhje me këtë draft, në mënyrë që të përfaqësohen sa më mirë grupet e interesit. Nga ana tjetër, akademiku Vasil Tole foli edhe për historikun e përpjekjeve të bëra dhe më parë, që më 1999 në lidhje me politikat kulturore dhe me angazhimin e gjithëpërfshirjen e forcave më të mira krijuese, akademike e përfaqësuese të artit shqiptar, në përgatitjen e botimit mbi politikat kulturore. Diskutime të tjera pati edhe nga regjisori Vladimir Prifti, apo Shaqir Rexhvelaj, Petrit Malaj, Rudina Ciko, Mimoza Sofroni, Bardhyl Londo etj.