Nga Maqedonia, Reshat Ibrahimi

Shkup, 22 janar - Artim Pollozhani ka mundësi të largohet nga skuadra gjermane e TuS Koblenz-it, kurse destinacioni i tij është ish-ekipi i tij i Superligës shqiptare, Dinamo nga Tirana. "Nuk ka ende asgjë zyrtare, por ka shanse të shkoj si huazim deri në qershor atje. Koblenzi nuk më lëshon përgjithmonë, por unë kam kërkuar që të luajë pasi nuk qëndroj më në bankinën e rezervave. Më afër jam të kthehem te Dinamo e Tiranës", deklaroi Pollozhani. Ai ishte shpallur futbollisti më i mirë i vitit 2006 në Maqedoni dhe menjëherë u bë pjesë e Koblenzit të Bundesligë së Dytë gjermane. Te kjo skuadër nuk ka luajtur shumë, kurse së fundi për të zëvendësuar pozitën e tij drejtuesit e ekipit gjerman kanë ftuar shqiptarin tjetër Njazi Kuqi.