Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo ka thënë se SHBA do të imponojë “sanksionet më të forta në histori” për Iranin.


Në një fjalim në Uashington, diplomati më i lartë amerikan tha se Irani do të “luftojë për ta mbajtur ekonominë e vetë të gjallë” pasi sanksionet e reja amerikane të hyjnë në fuqi.


Ai tha se do të punojë ngushtë me Pentagonin dhe aleatët rajonalë “për të penguar çdo agresion iranian”.


Më parë këtë muaj, Presidenti Donald Trump nxori SHBA-të nga marrëveshja bërthamore e firmosur me Iranin në vitin 2015.


Në fjalimin e tij të parë të politikës së jashtme si Sekretar i Shtetit, Pompeo shpalosi planin B të administratës për të kundërshtuar republikën islamike.


“Do të aplikojmë presione financiare të paprecedentë ndaj regjimit iranian,” tha ai.


“Udhëheqësit në Teheran nuk do të kenë asnjë dyshim për seriozitetin tonë. Irani nuk do të ketë më kurrë letër të bardhë për të dominuar në Lindjen e Mesme”, theksoi Pompeo.


21 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)