Elmaz Sherifi

Në novelën “Procesi”, Franc Kafka ka edhe një esse të shkurtër me titull: “Para ligjit”. Sipas Kafkës, për t’u futur te porta e ligjit, duhej të kaloje nga një derëtar (roje). Një ditë derëtarit i drejtohet një fshatar, i cili dëshironte të futej tek porta e ligjit. Por Derëtari nuk i’a mundësoi hyrjen, duke e lënë për vite në pritje! Fshatarit ndërkohë i dobësohet shikimi dhe ai nuk e dinte, nëse ajo që i mungonte ishte drita, apo e “gënjenin sytë”! Edhe pse në pamundësi shikimi, fshatari e dallonte shkëlqimin që shpërthente nga “Porta e ligjit”. Para vdekjes të gjitha ngjarjet e jetuara, e të mbledhura në kokën e tij, shndërrohen në një pyetje , të cilën fshatari ja drejton derëtarit: “Nëse të gjithë synojnë ligjin, si është puna që gjatë tërë këtyre viteve, askush përveç meje, nuk ka kërkuar të hyjë brenda? – e pyet fshatari. Rojtari e sheh se burri është në fund të jetës dhe i afrohet duke i ulëritur në vesh: “Këtu nuk mund të hynte askush, përveç teje. Kjo derë ishte caktuar vetëm për ty. Tani po largohem dhe po e mbyll këtë portë” – i përgjigjet Derëtari.
“Betimi”
Më në fund edhe grupi parlamentar i Partisë Socialiste e bëri “betimin” në Parlament. Deputetë dhe analistë nuk ngurruan ta konsiderojnë “një fitore të madhe të Partisë Socialiste”! Duket sikur kjo “Portë e Ligjit” ishte e mbyllur, dhe deputetët socialistë pas gjashtë muaj sakrificash të mundimshme e hapën atë! Ky veprim, gjithsesi duhet përshëndetur, nëse “këngën e bilbilave” të legjislaturës së kaluar nuk e zëvendësojnë ecejaket nëpër rrugë! Sepse siç u pa qartë, betimi ishte thjesht një taktikë për të legjitimuar mandatet. Ndërsa si strategji është zgjedhur politika e rrugës, dhe jo ajo e respektimit të institucioneve politike! E çuditshme se si kanë ndryshuar rolet në këto pesë vjet, midis Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike! Të kundërtat që zëvendësojnë njëra-tjetrën. Para vitit 2005 ishte Partia Demokratike ajo që nuk respektonte institucionet. Madje ajo nuk mori pjesë në referendumin për miratimin e Kushtetutës në 1998! Tani, i keni dëgjuar deputetët e Partisë Demokratike?
Ata ju japin leksione deputetëve të Partisë Socialiste! “Nuk lejojmë ne, të shkelet Kushtetuta” - deklarojnë ata në çdo moment!
Gjithsesi ky është një evoluim pozitiv! Nga dashuria e madhe që kanë për Kushtetutën edhe kapakët ia kanë bërë blu! Edhe socialistët po “evoluojnë” dalëngadalë. Fillimisht nuk e njihnin Presidentin e Republikës! Por më në fund, atij ju drejtuan për të realizuar “eksplorime” dhe “konvergime” me Partinë Demokratike.
Ata janë ende konfuzë në marrëdhëniet e tyre me “Portën e Ligjit” - Parlamentin. Parlamentin e quajnë me legjitimitet të cunguar, sepse ashtu e quan kryetari. Madje shtuan dhe një koncept të ri. Parlamenti për ta është në “konflikt interesi”?!
E megjithatë, ata i drejtohen përsëri Parlamentit “ilegjitim” dhe me “konflikt interesi”, për të legjitimuar kërkesat e tyre! E gjithë kjo situatë sa komike dhe absurde, e bën mëse të dukshme mungesën e kulturës politike të përfaqësuesve tanë. Por njëkohësisht kjo tregon se interesat e tyre, nuk janë të njëjta me ato të socialistëve. Socialistët dalin në sheshe, sepse dëshirojnë kthimin në pushtet. Ndërsa Rama deklaron se ne nuk duam pushtet, dhe pranojmë rezultatin! Edhe “hapja e kutive” kërkohet vetëm që Rama të mbesë kryetar, dhe “kryesia” fasada e kryetarit. Deputetët betohen se do të udhëhiqen nga parimet kushtetuese, dhe në moment propozohen zgjidhje aspak kushtetuese!
Ata i qëndrojnë besnikë kryetarit. Në fakt ata për këtë janë betuar!

Fjalorin politik e ka zëvendësuar fjalori sportiv!
Një përfaqësues i lartë i Partisë Socialiste (jo vetëm ky) në një emision televiziv, çdo detaj të zhvillimeve politike e ilustronte me sjelljet e futbollistëve! A duhet menduar se këtë e bënte, për ta kuptuar më mirë zgjedhësit? Vështirë ta besosh, sepse jo të gjithë votuesit dhe shikuesit e kanë mendjen te futbolli dhe skedinat e futbollit! Për më tepër, ai nuk është shembulli, të cilit mund t’i referohen intelektualët, aq më tepër politikanët.
Si duket, në drejtimin e Partisë Socialiste, vendin e racionalitetit, po e zë tifozeria, që në kohë të lirë do të merret edhe me politikë. Ashtu si edhe udhëheqësi i “politikës së re”, ata në çdo rast deklarojnë: “Ne jemi misionarë, jo politikanë”! çfarë misioni kanë këta mediokër politikë që nuk ngurrojnë të përsërisin se për realizimin e “misionit” të tyre, nuk ju duhet referuar dispozitave kushtetuese e ligjore, por vetëm zgjidhjeve politike! çfarë lloj modeli politik duan të instalojnë në Shqipëri kjo shpurë e keqpërdorur, që për karrierën e pamerituar janë gati të shesin dhe shpirtin?! Deri tani, në të gjitha kanalet televizive dhe faqet e gazetave, diskutimi bëhej rreth interpretimit kushtetues të bojkotit dhe kryesisht për vlefshmërinë e mandatit të deputetit. Nëse mbaronte apo ishte i pavlefshëm mandati, sipas nenit 71 të kushtetutës. “Tifozët” mbronin me kokëfortësi idenë, se mandatet janë të vlefshëm edhe në rast se nuk bëhej betimi, sipas dispozitave kushtetuese. Nëse ishte ashtu, përse shpejtuan deputetët tanë të shkojnë në Parlament? Apo e bënë këtë për të lënë “topin” në fushë, siç u shpreh një prej përfaqësuesve të tyre?! Deklarohej kudo se për bojkotin parlamentar, vendosi Kongresi dhe Asambleja e Përgjithshme e Partisë Socialiste! Kjo nuk është e vërtetë, sepse nuk është marrë një vendim i tillë! Por edhe nëse do të pranohej si e vërtetë, përse nuk u mblodhën këto organe për të vendosur, nëse duhej futur ose jo në Parlament?
Për t’ju përgjigjur me fjalorin sportiv aq të dëshiruar nga “tifozët”, mund të thoshim: Forumet nuk është e nevojshme të mblidhen, sepse rolet e “trajnerit dhe arbitrit” tani i kryen “kompetenti”. është kjo arsyeja kryesore që me të vërtetë Partia Socialiste tashmë po shndërrohet në një klub humbës futbolli!
Nuk i hape kutitë - largohu!
Në sfondet lëvizëse të mitingjeve të Partisë Socialiste, spikaste diçitura: “Hap kutitë ose largohu”. Madje të gjithë “aleatët” nuk harronin të fillonin diskursin me shprehjen e famshme: “Hap kutitë ose largohu”! Edhe fëmijët i shikoje rrugëve duke bërtitur edhe pse pa e kuptuar përmbajtjen: “Hap kutitë, ose largohu”! Kryetari i “politikës së re”, u kish premtuar “që në krye të herës” pjesëmarrësit në mitingje se Partia Socialiste nuk do hynte në Parlament, pa u hapur kutitë! “Ky është premtimi ynë solemn” - deklaronte me zë baritor kryetari!
Ky premtim nuk u mbajt! Deputetët hynë në Parlament. Kjo lëvizje e beftë ka dëshpëruar jo vetëm socialistët, por kryesisht “aleatët”. Një prej tyre deklaroi menjëherë, se tani duhet të iki Edi Rama, po nuk e mbajti premtimin. Me sa duket mund të shfaqet efekti boomerang. Interesante është kjo metamorfoza e “aleatëve”! Pas zgjedhjeve akuzuan Ramën si shkaktarin e humbjes së tyre. Më vonë u bënë aleatë me të. Tani kërkojnë distancimin nga ai! E anatemuan, se në bashkëpunim me Berishën, i “nxori” nga Parlamenti. Tani duan të besojnë se bashkëpunimi me Ramën do t’i çojë ata në Parlament. Askush nuk duhet të privohet nga e drejta për të ëndërruar!
Dilema
Në analizën që i bëhet teorive politike, trajtohet edhe ajo që shpesh emërtohet “teoria e lojës”. Kjo teori përdoret edhe në fushën e konkurrencës, midis partive dhe sjelljes së grupeve të interesit. Ajo quhet “Dilema e të Burgosurve”. Thelbi i kësaj teorie pak a shumë është ky! Dy persona që dikur kanë bashkëpunuar, por tashmë janë të mbyllur në qeli të ndryshme, përballen me një pyetje. Ta shesin apo jo njëri-tjetrin? Alternativat janë: E para, një prej tyre të rrëfehet, nga frika se mos rrëfehet tjetri. Duke siguruar prova të plota për të dënuar bashkëpunëtorin, ai lirohet pa u dënuar.
Alternativa e dytë, nëse të dy rrëfejnë, ata do të dënohen, duke marrë secili gjysmën e dënimit. Për rrjedhim, ata dënohen sepse nuk bashkëpunojnë. Alternativa e tretë, nëse të dy refuzojnë të rrëfejnë, ata i shpëtojnë dënimit.
Dilema i përngjan zhvillimeve politike aktuale. “Më ke prerë në besë” - thotë njëri. “Të bëra kryetar të Partisë” - i përgjigjet tjetri. “Tani nuk do të jesh më interlokutor zgjidhjesh. Ndryshimet kushtetuese bashkë i bëmë”. Dilema, bashkëpunim apo eliminim, do një përgjigje! Përgjigja është e natyrshme. Një do të eliminohet. Le të presim zgjedhjet lokale!