Në datën 5 mars e në vazhdim, mirëmbajtja e elektrovinçave të portit detar të Durrësit, me anë të të cilëve realizojnë 85 për qind të procesit të ngarkim-shkarkimit të mallrave, do të kryhet nga privatët. Sektori i mirëmbajtjes është privatizuar vetëm pak ditë më parë. Në bazë të marrëveshjes me operatorin që ka fituar këtë shërbim, rezulton se ai është i detyruar që për 1 vit të paguajë si më parë të gjithë punonjësit e ofiçinës dhe vetëm pas një viti mund të realizojë reformë në strukturën e punonjësve. Në këtë ofiçinë janë të punësuar 100 vetë.


Procesi privatizimit


Procesi i privatizimit të ofiçinës së portit detar, më e madhja në shkallë vendi, ka si detyrë parësore mirëmbajtjen e elektrovinçave të këtij porti. Operatori, i cili fitoi këtë shërbim, është “Kalmari” nga Suedia. Në bazë të kontratës me APD, shërbimi i këtij operatori konsiston në mirëmbajtjen e 23 elektrovinçave të portit detar. Ndërsa porti do të derdhë në arkën e operatorit 96 milionë lekë në vit për shërbimin e ofruar, pasi elektrovinçat do të vazhdojnë të jenë pronë e portit. Në këtë ofiçinë janë të punësuar 100 punonjës. Sipas marrëveshjes mes APD dhe operatorit më të ri, rezulton se e gjithë kjo fuqi punëtore do të vazhdojë të paguhet për një vit rresht dhe vetëm më pas mund të ndërhyhet në organikë.


Kushtet e privatizimit


Privatizimi i ofiçinës mekanike, si dhe shërbimi i mirëmbajtjes së elektrovinçave, ka detyruar APD që fillimisht të kërkojë realizimin e një studimi të hollë për të mbërritur deri në pikën finale. Për këtë qëllim, porti ngarkoi kompaninë gjermane HPC me qendër në Hamburg, e cila përcaktoi edhe termat e privatizimit.


Kompania monitoroi shkallën e amortizimit të vinçave, kapacitetet e punës që ata përballojnë, gjendjen e ofiçinës, si dhe nivelin teknik të punonjësve. Gjithashtu, gjermanët patën parasysh edhe tarifat rajonale që përdoren për këtë shërbim në portet rajonale. Porti i Durrësit ka në arsenalin e tij 23 elektrovinça, prej të cilëve 7 janë bashkëkohorë dhe të tjerët u përkasin viteve ‘70 dhe ‘80. Privatizimi i këtij shërbimi vjen pas atij të ngarkim-shkarkimit dhe të pilotimit të mjeteve detare. Në konceptin bashkëkohor, APD konsiderohet si njësi menaxhimi dhe pronare e tokës, ndërsa shërbimet portuale realizohen nga operatorët privatë. Në proces privatizimi janë edhe terminali i kontenierëve.





Durrësi në panairin e Milanos





Bashkia e Durrësit ka marrë pjesë në një seksion të veçantë, në panairin e madh të Milanos të zhvilluar para pak ditësh. Në këtë panair gjigant, një seksion i kushtohet vetëm turizmit dhe në të merrnin pjesë dhjetëra shtete nga e gjithë bota, ku një seksion i përkiste Shqipërisë. I vetmi institucion që prezantonte Shqipërinë në këtë panair ishte Bashkia e Durrësit, e cila përfaqësohej nga dy nënkryetarët e saj në këtë panair. Zyrtarët e Bashkisë së Durrësit kanë zhvilluar gjatë ditëve të panairit edhe një sërë takimesh me zyrtarë të lartë vendorë të Milanos, duke ndarë me ta mendime të përbashkëta për zhvillimin e bashkëpunimit midis rajoneve italiane dhe Durrësit. Në sektorin e Shqipërisë, që përfaqësohej nga Bashkia e Durrësit, u prezantuan përpara vizitorëve të shumtë një sërë materialesh që tregojnë gjithçka ka bërë Bashkia e Durrësit në drejtim të zhvillimit të turizmit. Po kështu u prezantuan resurset e shumta turistike të qytetit të Durrësit, që ngjallën një interesim të jashtëzakonshëm të të pranishmëve. Me anë të albumeve fotografikë, fletëpalosjeve të ndryshme, si dhe me shumë materiale të tjera informative, Bashkia e Durrësit ka sjellë në këtë panair imazhin e një qyteti evropian turistik, siç është Durrësi, duke bërë të njohura edhe resurset e këtij qyteti në të cilin nuk vijnë turistë vetëm për bregdetin, por edhe për sitet e shumta arkeologjike, evenimentet kulturore kombëtare e ndërkombëtare etj. Në këtë panair imazhi i Shqipërisë erdhi nëpërmjet vlerave të shumta të qytetit të Durrësit, që u përcollën me sukses mijëra të interesuarve nga bashkia e qytetit bregdetar, e cila e ka prioritet kryesor zhvillimin e turizmit në qytetin tonë.