Qeveria shqiptare do të ngrejë një grup ministror, i cili do të bashkërendojë punën me grupin nga Kosova për marrjen në përdorim të portit të Shëngjinit. Kjo, për faktin se do të shihen dhe vendndodhje të tjera, pasi porti mund të ngrihet kudo në bregdet. Këshilltarja e Kryeministrit Berisha për ekonominë, Suzana Guxholli, shpjegoi se kërkesa e qeverisë Thaçi ka parimisht aprovimin e Tiranës. "Në këtë rast, kuptohet se përgjigja e qeverisë sonë ishte "po" sepse gjithmonë i është referuar këtij vendi si port i cili do të forcojë lidhjen me Kosovën dhe do të ndihmojë Kosovën nga pikëpamja ekonomike për të rritur dhe fuqizuar transportin detar dhe tokësor të saj”, - tha znj. Guxholli. Ajo bëri të ditur se grupi do të diskutoje problemin në parim, do të shqyrtojë anën ekonomike, ambientale, etj., pastaj do të kalohet në propozimin konkret. “Ndërkohë, - shtoi ajo, - është i shënuar si port, porti i Shëngjinit, por Kryeministri propozoi të shiheshin dhe vendndodhje të tjera, sepse sot porti mund të ngrihet kudo në bregdet. Pra, do të jetë grupi i punës që do të jetë nga pala jonë dhe nga pala kosovare i cili do të përcaktojë termat konkretë, kapacitetet, vendndodhjen, përfshirjen etj.", - tha znj. Guxholli. Dy ditë më parë, një përfaqësi e kabinetit qeveritar të Kosovës, ministrat Fatmir Limaj, ministër i Transporteve; Ahmet Shala, ministër i Ekonomisë dhe Financave; Lutfi Zhargu, ministër i Tregtisë dhe Industrisë, u takuan me Kryeministrin Berisha dhe i dorëzuan atij vendimin e qeverisë së Kosovës për të hapur bisedimet për portin e Shëngjinit.