12/06/2005  Rrezik për portin jugor që të kthehet në pikën më të madhe të importit të mbetjeve të rrezikshme


SARANDE – Në vendin tonë nuk paguhen taksa për pastrimin e portit e shumë shpejt kjo situatë pritet që të ndryshojë. Fenomenit të mospagimit të taksës së pastrimit nuk i ka shpëtuar as porti i Sarandës. Fakti është bërë publik gjatë një takimi trajnues në kuadrin e projektit evropian “Interrek” të zhvilluar në Sarandë nga shërbimi për mbrojtjen nga mbetjet të porteve dhe aeroporteve me qendër në Ankona të Italisë.


Në takimin e zhvilluar disa ditë më parë, në Sarandë, ishin të pranishëm përfaqësues të kapitenerive të porteve të Sarandës dhe Himarës. Pala italiane përfaqësohej nga Isarema Cioni, specialiste e shërbimit për mbrojtjen nga mbetjet e porteve dhe aeroporteve. Organizatorët ngritën si shqetësim mungesën e taksave për pastrimin në portet shqiptare fakt që është i pranishëm edhe në Sarandë.


Specialistja e shërbimit italian të mbrojtjes së porteve dhe aeroporteve nga mbetjet, Isarema Cioni, në një intervistë për gazetën “Metropol”, tregon synimet e një projekti të ri për ndryshimin e situatës së vjeljes së taksave në portet shqiptare.


Çfarë taksash të reja duhen aplikuar në portet shqiptare?


Pikë së pari, përveç problemeve të tjera, që ekzistojnë në portin e Sarandës dhe në të gjithë portet e tjera të Shqipërisë, duhet të aplikohen taksa të reja për shërbimin e pastrimit, po e theksoj sërish këtë, pasi në këtë drejtim ka shumë punë për të bërë nga autoritetet portuale, krahas taksave të njohura tashmë për ankorimin e mjeteve lundruese. Pastrimi në porte duhet vendosur si një shërbim parësor dhe për këtë shërbim të ardhurat duhet të grumbullohen nga anijet, tragetet dhe jahtet që ankorohen në port, nga ana e kapitenerisë. Vetëm kështu mund të shmangim rreziqet që lindin nga kjo dukuri e kaluar tashmë nga disa shtete në tranzicion. Taksa e pastrimit në porte nuk duhet të jetë fikse, si taksat e tjera, ajo duhet të funksionojë në bazë të sasisë që shkarkon në port një mjet lundrues. Në rast se një mjet lundrues vjen në Sarandë dhe lëshon një sasi të madhe mbetjesh dhe paguan një tarifë fikse, atëherë Saranda rrezikon të jetë importuesja më e madhe e këtyre mbetjeve.


Cili është synim kryesor i projektit tuaj?


Ky është një projekt ambiental, i cili synon mbrojtjen e hapësirave në port nga ndotjet e vazhdueshme. Objektivi jonë është të krijojmë një agjenci rajonale për zgjidhjen e problemeve me mbetjet në porte. Puna jonë kryesisht përqëndrohet në mbetjet urbane dhe kemi dy vjet që punojmë për këtë objektiv. Ndërkohë kemi disa projekte të mbështetura nga Komiteti Evropian që synojnë eliminimin total të të gjitha mbetjeve portuale në kohë siç janë mbetjet e naftës, vajit dhe gjithçka tjetër që vjen nga ankorimi i mjeteve lundruese. Kjo është një temë me rëndësi, e cila është e pranishme në portet që lagen nga deti Adriatik dhe ne synojmë të punojmë në dy krahët e Adriatikut dhe të shtojmë bashkëpunimin për të parandaluar ndotjet detare. Në këto ditë kemi firmosur një kontratë në Durrës, Vlorë dhe Sarandë me operatorët, që janë të impenjuar në këtë diskutim, siç janë kapiteneritë e portit, shoqëritë e pastrimit etj. Në këtë kontratë është parashikuar se, në qoftë se Shqipëria do të aderojë në normat ndërkombëtare, sigurisht që duhet të plotësojë normativat e parashikuara nga Komiteti Evropian. Disa prej tyre janë vendosja e taksave fikse për ankorimin e anijeve, taksë për mbetjet që shkakton kjo anije dhe sanksione financire në rast të mosnjoftimit për mbërritjen e saj në port. Në qoftë se në Sarandë nuk aplikohen këto tarifa, krijohet një rrezik i madh, sepse në qoftë se në portet e tjera kjo tarifë aplikohet dhe në Sarandë jo atëherë, Saranda rrezikon të bëhet vendshkarkimi i mbetjeve të anijeve. Rreziku qëndron edhe në lëshimin e mbetjeve të rrezikshme, siç janë bateritë, acidet apo lëndë të tjera, të cilat mund të dëmtojnë një qytet turistik. Për këto mbetje duhet të paguaj subjekti që i sjell dhe jo qytetarët e Sarandës. Çdo anije që ankorohet duhet të preket nga tarifat e mësipërme dhe jo vetëm nga tarifat e ankorimit, që janë të vendosura nga shteti.


Çfarë rezultatesh prisni nga puna me drejtuesit e porteve që lagen nga Adriatiku?


Ky projekt zgjat deri në fund të vitit dhe po bëhen shkëmbime eksperiencash në Itali dhe Shqipëri. Në projekt parashikohet njohja me eksperiencat e porteve të Malit të Zi dhe Barit për të krijuar një rrjet të porteve të Adriatikut dhe më pas do të kemi një arritje, ku të gjithë do të jenë të bashkuar në një takim në Tiranë, për të nxjerrë konkluzionet e punës së nisur. Sipas objektivit tonë, konkluzionet mund të jenë edhe nga propozimet që do të bëjmë të gjithë së bashku në prani të Ministrive të Mjedisit nga të dy shtetet.


Flet shefja e përpunimit të mjeteve lundruese


Mungojnë pajisjet për të pastruar portin


Shefja e përpunimit të mjeteve lundruese në portin e Sarandës, Hatixhe Ismaili, e kontaktuar nga gazeta “Metropol”, tha se në këtë port ekziston një taksë fikse për pastrimin dhe kjo taksë grumbullohet nga shoqëria e pastrimit të portit, në bazë të një marrëveshje me kapitenerinë e këtij porti. Në këtë port, ka sqaruar ajo, ende nuk ka pajisje të specalizuara për pastrimin e detit nga derdhjet e naftës apo acideve. Këto lëndë të rrezikshme për detin kërkojnë një shërbim dhe pajisje bashkëkohore, të cilat për momentin mungojnë.


Sipas shefes së përpunimit të mjeteve lundruese, firma e pastrimit “Ledio” e portit realizojnë vetëm grumbullimin e mbetjeve nga anijet në kontenierë.


Projekti për portet e Adriatikut, i mbështetur dhe ideuar nga shërbimi për mbrojtjen aeroportuale nga mbetjet me qendër në Ankona, pritet të parandalojë fenomene të rënda që vijnë nga ndotja e porteve dhe ujërave, të cilat janë vdekjeprurëse për biznesin turistik në Shqipëri.


“Vogli Shpk” pastron portin pas një marrëveshje “xhentëlmenësh”


“Porti, pastrimi me kontratë”


Aktualisht largimi i mbetjeve bëhet nga firma “Vogli Shpk”, e cila realizon pastrimin në qytet pas një marrëveshje me drejtorin e portit, por kundrejt asnjë detyrimi financiar.


Duke folur për këtë shqetësim, presidenti i shoqërisë “Vogli ’95 shpk”, Arben Vogli, tha se “deri tani e kam kryer këtë shërbim për largimin e mbetjeve nga porti me ndjenjën e qytetarit të Sarandës, por tani mendoj se ka ardhur koha të ndryshojë kjo metodë pune. Unë do të isha i gatshëm në largimin e çdo lloj mbejtje nga porti dhe futjen e një teknologjie të re edhe për largimin dhe eliminimin e lëndëve djegëse, por kundrejt një marrëveshje institucionale me drejtuesit e portit”.


Problemet me mbetjet urbane në portin e Sarandës shfaqen disa ditë pas çeljes së sezonit veror në këtë qytet. Një vit më parë një anije e paidentifikuar ende lëshoi një sasi nafte të konsiderueshme, duke bërë të pafrekuentueshëm disa plazhe të Sarandës dhe Ksamilit. Asnjë masë nuk pati nga shteti apo organizma të tjerë për pastrimin e naftës dhe vajrave të derdhura në det.


Investimi


Banka Botërore, 200 mijë USD për portin e ri të peshkimit


TIRANE - Banka Botërore ka investuar 200 mijë USD për ndërtimin e portit të ri të peshkimit në Sarandë. Kështu ka bërë të ditur dje në një njoftim zyrtar për median, Drejtoria e Përgjithshme e Peshkimit. Porti është ndërtuar në vendin e quajtur “Gjiri i Limionit”, në periferi të qytetit, ku tradicionalisht ka funksionuar porti i anijeve të peshkimit.


Sipas drejtorit të Peshkimit, Rolan Kristo, në port është ndërtuar një bankinë për ankorimin e anijeve të ndryshme të peshkimit deri në 20 tonë si dhe një mjedis pune për shoqëritë e peshkimit.


Sipas burimeve të mësipërme, parashikohet që porti të vihet në funksionim brenda këtij muaji.


Porti i ri i peshkimit është pjesë përbërëse e një masterplani, ku përfshihet rehabilitimi i portit të Sarandës për përpunimin e trageteve, si dhe ndërtimi i një porti për përpunimin e mallrave.