
Porti i Vlorës do të jetë gati për sezonin e ardhshëm veror. Këtë e siguron drejtori i këtij porti, Edmond Leka, sipas të cilit punimet po ecin me ritme të shpejta. Ai është shprehur se shpreson që me këto ritme, sezoni i ardhshëm turistik do ta gjejë qytetin bregdetar me një port të ri. "Janë rreth 15 milionë euro që do të shpenzohen për rregullimin e kalatave dhe thellimin e gjirit brenda portit, çka do të shërbejë edhe për ankorimin jo vetëm të trageteve por edhe të anijeve turistike", është shprehur Leka. Ai shpjegoi se në portin e Vlorës do të jenë në linjë katër tragete të cilët do të veprojnë çdo ditë. Drejtori shtoi se ka pasur mjaft kërkesa për ankorimin e krocierave, por kushtet e portit nuk kanë bërë të mundur hyrjen e tyre.
Punimet në portin e Vlorës kanë nisur në qershor, ndërsa pritet të ketë edhe një investim të dytë prej 15 milionë eurosh për terminalin. Kjo do t'i japë qytetit një port të ri me kapacitete shumë herë më të mëdha dhe një teknologji shumë herë më të avancuar. Po ashtu ndërtimi i portit të ri të Vlorës do të jetë dhe një risi për pushuesit, pasi ky port do të lidhet me shëtitoren. Në diskutime e sipër flitet edhe për një port jahtesh ngjitur me portin detar, për t'i dhënë një tjetër hov turizmit. Sipas Edmond Lekës, porti i ri pritet të sjellë edhe turistë të shumtë, duke përmirësuar ekonominë.