Australi


Miratohet plani për të zgjeruar infrastrukturën detare në dëm të pasurisë natyrore


australia korali i madhAutoritetet në Australi miratuan një projekt që synon të hedhë mbetjet që do të krijohen nga gërryerja e tabanit të detit në parkun kombëtar të Barrierës së Madhe Koralore si pjesë e një plani për të krijuar një nga portet më të mëdha të qymyrit në botë.


Vendimi u mor nga autoriteti i këtij parku që shtrihet përgjatë vijës bregdetare të të gjithë lindjes të kontinentit australian.


Shkencëtarët kanë kërkuar që projekti të mos miratohet nga frika se gurët e hedhur në det mund të dobësojnë apo të helmojnë koralin. Shumë kompani duan të përdorin portin Abot për të eksportuar qymyr drejt tregut botëror.


Vitin e kaluar, qeveria miratoi planin për zgjerimin e portit detar. Si pjesë e këtij plani nevojitet që të gërryhet një pjesë e tabanit të detit për të lejuar anijet e mëdha të hyjnë në port. Mbetjet nga gërryerja janë përcaktuar të hidhen 25 kilometra në verilindje të portit.


Qeveria thotë se tabani i detit ku do të hidhen mbetjet përbëhet nga rërë dhe shkëmbinj dhe nuk përmban korale apo bar deti. Sipas saj, procesi do të mbikëqyret nga afër për të mos lejuar dëme mjedisore.


Por 23 shkencëtarë kanë nënshkruar një letër që kërkojnë rrëzimin e planit ndërsa grupet mjedisore e kanë dënuar miratimin.


Barriera e Madhe Koralore është përcaktuar si Trashëgimi Botërore nga UNESCO. Ajo është struktura koralore më e madhe në botë, shumë e pasur me jetë detare dhe që zgjatet për më shumë se 2600 kilometra.


Ky shkrim Porti i qymyrit mbi barrierën koralore u publikua me pare te Gazeta SHQIP.