Një supertrafikant italian arrestohet në Vlorë. I kërkuar nga Interpoli, pasi akuzohet se ka trafikuar nga vendet e Amerikës Qendrore e Jugore drejt Italisë 1500 kg kokainë, 33-vjeçarit Xhuzepe Simoneli, iu vunë prangat në qytetin shqiptar. Në orët e mesditës, seksioni i Luftës Kundër Narkotikëve në bashkëpunim me Seksionin e Operacioneve Speciale në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë ka bërë të mundur finalizimin me sukses të operacionit të përbashkët me Policinë italiane, i koduar DUE TORRI CONECTION. Pas arrestimit të të riut italian, u bë shoqërimi në komisariat edhe i dy personave të tjerë që ishin në ato momente në shoqërinë e italianit, një patriotin e tij dhe një shtetase shqiptare. Sipas burimeve të Policisë, ndalimi i shtetasit italian është bërë për arsye se është i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli italian, i dyshuar si anëtar i një organizate kriminale që ka pasur si qëllim trafikimin e sasive të mëdha, (1500 kg) të lëndëve narkotike si kokaina, të kapura në Itali kohë më parë. Dyshohet se trafiku kryhej nga vendet e kontinentit amerikan, si Kolumbi, Ekuador etj, për në Itali. Mësohet se Xhuzepe Simoneli kishte hyrë në territorin e Shqipërisë më 31 korrik të këtij viti dhe është mbajtur në vëzhgim nga agjentët e antidrogës, pas dyshimeve se ai ishte i përfshirë në veprimtari të paligjshme, të dhëna këto nga zyra e Interpolit. Shtetasi italian është mbajtur nën kontroll për çdo hap që ka hedhur në territorin e Shqipërisë, në Vlorë, si dhe në hotelin ku banonte, në zonën e Radhimës. Sapo është konstatuar vendndodhja e tij, është njoftuar Interpoli italian, i cili me një shkresë që mban po datën e djeshme, bëri shpalljen e tij në kërkim ndërkombëtar. Simoneli ndodhej në hotel kur ka ndërhyrë policia. Në ato momente ai nuk ka bërë rezistencë, por është shprehur i habitur për urdhrin e arrestit. Atij i janë vënë prangat, ndërsa dy miqtë e tij janë lënë të lirë pas marrjes në pyetje. Sipas Policisë, gjatë vëzhgimit të më shumë se një jave, Simoneli nuk ka kryer ndonjë veprim të kundraligjshëm. Vetë italiani ka treguar se ndodhej në Shqipëri me pushime dhe ka kërkuar që të komunikojë me Konsullatën italiane në Vlorë. Nga ana e Policisë së Vlorës pohohet se nuk ka të dhëna që Simoneli kishte bashkëpunëtorë të trafikut të drogës në Shqipëri, ndonëse çështja është nën hetim.


VLORE/ QEMAL BIRAKU