Të tjera rreth shkrimit VIDEO TIRANË - Julian Sinanaj i hetuar dhe nën akuzës si vrasësi me pagesë i "bandës së tritolit" në Vlorë ka "shpërthyer" në akuza ndaj prokurorisë duke kërkuar llogari se përse nuk arrestohen personat e përfshirë në krime të ndryshme dhe të denoncuar prej tij. "Nëse ju nuk arrestoni ata që kam denoncuar, kjo tregon që ju nuk doni të zbardhni vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi", - mësohet t'i jetë drejtuar Sinanaj prokurorëve Behar Dibra e Besnik Muçi. Sinanaj nuk është ndalur këtu, por ka ngritur tensionet në sallë teksa ka akuzuar prokurorët se kanë kaluar pushime luksoze në bregdetin e jugut të Shqipërisë me paratë e kriminelëve që nuk arrestohen. Ky proces ndodhet në seancën e 34, ndërsa me një vendim të pa bërë publik asnjëherë Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur ta zhvillojë seancën me dyer të mbyllura duke lënë jashtë kamerat televizive dhe gazetarët. Gjykatësja kryesuese e këtij procesi Flora Hajredinaj vendosi të rrëzojë dhe kërkesën e bërë nga avokatët e të pandehurve të tjerë në këtë proces për një ekspertizë psikike të Julian Sinanajt. Burime nga seanca bënë me dije për Shqiptarja.com, se në tension e sipër Sinanaj ka këmbëngulur duke i kërkuar gjykatës se ai do të hesht përgjithmonë nëse nuk arrestohen personat e denoncuar prej tij, e veçanërisht Genis Mëhillaj i cili sipas Sinajt po i kërcënon familjen nga arratia. Banda e tritolit u prangos një vit më parë dhe nën akuzë për një sërë vrasjesh mafioze, vendosje tritoli dhe kërcënimi janë Julian Sinanj, Ndriçim Gjokonaj, Andon Mëhillaj, Genis Mëhillaj ky ende i pa arrestuar, Marjon Mitro, Albin Mexhaj si dhe biznesmeni Ilir Karçini. Redaksia Online (Gre.M/Shqiptarja.com) 19 Ndiqni Shqiptarja.com në Facebook dhe në Twitter TAG: banda e tritolit julian sinanaj gjykata e krimeve te renda geni mehillaj prokurore