Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë pritur të hënën Ambasadorin e Emirateve të Bashkuara Arabe në Turqi, jorezident për Kosovë, Khalid Khalifa A. Rashed Al-Mualla, me ç’rast ky i fundit përveç dorëzimit të letrave kredenciale, ka dhënë përkrahje të plotë edhe për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.



Presidenti Fatmir Sejdiu pas takimit me diplomatin arab ka vlerësuar lart rëndësinë që ka njohja e Kosovës nga Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe përkrahjen e vazhdueshme që ky vend po jep për sigurimin e njohjeve të reja, veçmas nga vendet e Konferencës Islamike.



Edhe Kryeministri Hashim Thaçi pas takimit me Khalid Khalifa A. Rashed Al-Mualla, ka falënderuar Emiratet e Bashkuara për mbështetjen e dhënë për Kosovën.



“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përgatitur për avancimin dhe forcimin e raporteve bilaterale në fushën e bashkëpunimit ekonomik. Bashkëpunimi i gjithanshëm në mes të dy vendeve do të rrisë edhe më shumë miqësinë në mes të vendeve tona dhe në mes të popujve tanë”, është shprehur Thaçi.



Ndërsa, Ambasadori Khalid Khalifa A. Rashed Al Mulla është zotuar se do të ketë një përkushtim edhe më të madh të Emirateve të Bashkuara Arabe për të ndërtuar raporte të mira bilaterale në mes të dy vendeve dhe për mbështetjen aktive të Kosovës në të gjitha fushat në arenën ndërkombëtare.



Ai shprehu përkushtimin e Emirateve të Bashkuara për ta përkrahur Kosovën edhe në të ardhmen, duke nxitur biznesmenët e këtij vendi që të shtrijnë veprimtarinë e tyre në Kosovë dhe ta ndihmojnë rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit.