(E plotësuar) Kancelarja Angela Merkel do të drejtojë Gjermaninë për një mandat të tretë radhazi, pasi partia e saj u rendit e para me një diferencë të ndjesshme në zgjedhjet e përgjithshme të së dielës.


Ndërsa falenderoi gjermanët për besimin e dhënë, vetë Merkel i kërkoi anëtarëve të partisë së saj që të festojnë këtë “super rezultat”.


“Do të ndryshojmë së bashku Gjermaninë në katër vitet e ardhshme, duke e bërë atë një vend edhe më të fortë e të begatë”, deklaroi Kancelarja në fjalimin e saj falenderues.


 


Angela Merkel e ka fituar edhe mandatin e tretë si kancelare e Gjermanisë, thonë sondazhet dalëse (exit polls) të rrjeteve televizive gjermane, pas mbylljes së vendvotimeve.


Sipas këtyre sondazheve, koalicioni i qendrës së djathtë i zonjës Merkel, CDU/CSU, ka fituar 42 për qind të votave, ndërsa partia SPD, deri tash në opozitë, ka fituar 25.5 për qind.


Më tutje pasojnë Partia e të Gjelbërve dhe Partia e Majtë e linjës së fortë, që të dyja kanë fituar më tepër se 8 për qind të votave, sipas sondazheve dalëse.


Nëse partia partnere e zonjës Merkel, Demokratët e Lirë, nuk do të fitojë mbi 5 për qind të votave, atëherë Angela Merkel duket se do të jetë e detyruar të formojë “koaliconin e madh” me socialdemokratët (SPD).


Ky koalicion e ka qeverisur Gjermaninë edhe në periudhën 2005 – 2009. /Indeksonline/