Nga “New York Times”

Nuk ka pasur mungesë imazhesh të fuqishme ditën e përurimit të Barack Obamës si president, të cilat fillonin me njeriun që sfidoi të gjithë politikën tradicionale - se ishte tepër i ri, i papërvojë, shumë i zi, apo kishte edhe nga ata që e akuzonin se nuk ishte i zi sa duhet, për të marrë postin e presidentit në një vend të ndarë nga dallimet racore në një numër rrugësh të turpshme.


Por njerëzit që u mblodhën aty për një ditë, e ne shpresojmë të zgjatë më shumë, i sfiduan këto. Mijëra njerëz erdhën nga çdo skaj i vendit që rrallë kanë qenë në një gjendje kaq kritike dhe prapë ishin shumë optimistë për udhëheqësin e tyre të ri.


Në fjalimin e tij inaugurues presidenti Obama i dha njerëzve qartësinë dhe respektin, për të cilin kishin kaq shumë nevojë. Në fjalimin rreth prej 20 minutash ai fshiu tetë vitet e zgjedhjeve false dhe politikave të dështuara të George Bushit dhe premtoi që ta ri-angazhonte Amerikën me idealet e saj më të çmuara.


“Në këtë ditë ne jemi mbledhur, se kemi zgjedhur shpresën ndaj frikës dhe unitetin e qëllimit mbi konfliktin. Sot, ne jemi mbledhur të deklarojmë fundin e premtimeve false e dogmave që për një kohë të gjatë i kanë marrë frymën politikës sonë”, - tha Obama në fjalimin e përurimit.


Ndërsa Bushi shikonte (e ne shpresojmë të ndiente edhe një farë pendimi), presidenti Obama deklaroi: “Sot, ne jemi mbledhur, se kemi zgjedhur shpresën ndaj frikës, bashkimin për një qëllim ndaj konfliktit dhe mospajtimit. Sot, ne shpallim fundin e dëshpërimeve të vogla dhe premtimeve false, dogmave të vjetruara që e kanë mbajtur peng politikën tonë për shumë kohë.”


Fjalimi nuk ishte programatik dhe as i mbushur me gjuhë të ashpër si fjala e parë e inaugurimit të F. D. Roosvelt apo fjala e vetme e John Kennedy-t. Por fjalimi nuk la asnjë dyshim për mënyrën si i shikon Obama problemet e vendit dhe si synon t'i rregullojë ato dhe, ndryshe nga zoti Bush, sakrificat që ai do të kërkojë nga gjithë amerikanët.


Historia amerikane “nuk ka qenë rruga e zemërbutëve, për ata që pëlqejnë të argëtohen dhe jo të punojnë fort, apo që kërkojnë vetëm kënaqësitë e pasurisë dhe famës”, - tha ai.


Ashtu siç riformatoi Partinë Demokratike për të fituar zgjedhjet dhe elektoratin amerikan për të mundur John McCain, zoti Obama tha se ai synonte të riformatonte qeverinë që t’u shërbente realisht qytetarëve.


“Çështja që ne shtrojmë sot nuk është, nëse qeveria është e madhe apo e vogël, por nëse ajo punon apo ndihmon familjet të gjejnë punë me një rrogë të pranueshme, kujdes shëndetësor të arritshëm, pension të dinjitetshëm”, - tha ai.


Obama nuk u kursye në dënimin e ideologjisë false të tregut të pakontrolluar. Ai tha se kriza e tanishme ekonomike tregoi se si “pa një vëzhgim të kujdesshëm, tregu mund të dalë nga kontrolli” dhe kombi duhet të shtrijë mundësitë e prosperitetit drejt “çdo zemre të gatshme, jo për mëshirë, por sepse është rruga më e sigurt për të mirën tonë të përbashkët.”


Zoti Obama nuk u tërhoq nga plani i tij ambicioz për të rimëkëmbur ekonominë. Ai nënvizoi se “gjendja ekonomike kërkon veprime të guximshme dhe të buta” për të ndërtuar rrugë dhe ura, stacione elektrike, rrjete dixhitale dhe transformimin e shkollave.


Pas më shumë se shtatë vjetësh të zotit Bush që përdori frikën dhe ksenofobinë për të justifikuar një luftë të panevojshme dhe shkatërrimtare, minoi të drejtat më themelore amerikane, ishte çliruese të dëgjoje zotin Obama të hidhte poshtë “zgjedhjen false mes sigurisë sonë dhe idealeve.”


Në vend të njëanshmërisë së z. Bush, z Obama tha se Shtetet e Bashkuara janë “gati të udhëheqin edhe një herë”, duke u bërë “mik i çdo vendi dhe çdo burri, gruaje apo fëmije që kërkon një të ardhme paqësore dhe dinjitoze.” Ai tha se “vetëm fuqia jonë nuk mund të na mbrojë dhe as nuk ja jep të drejtën të bëjmë si duam.” Zoti Obama i tha botës myslimane se ai do “një rrugë tjetër për të ecur përpara, të bazuar në interesa dhe respekt të përbashkët.”


Zoti Obama ishte i çeliktë ndaj atyre “që kërkojnë të realizojnë synimet e tyre duke përdorur terror dhe duke vrarë të pafajshëm.” Ai paralajmëroi se “shpirti ynë është më i fortë dhe nuk mund të thyhet; ju nuk mund të na i kaloni, ne do t’iu mundim.” Por aty ku z. Bush e portretizoi si një betejë epokale, thuajse biblike, mes Amerikës dhe atyre që na urrejnë dhe “që urrejnë lirinë”, zoti Obama ofroi gjithashtu t’u “shtrijmë dorën, nëse ju jeni të gatshëm të hapni tuajën fillimisht.”


E ndërsa dita e inaugurimit të presidentit të 44 të SHBA vazhdoi me parada dhe festime, imazhi që mbeti ishte ai i presidentit të 44, i cili arriti të përqafonte simbolizmin, por dhe të ngrihej mbi të. Kjo na mbushi me shpresë, se me ndihmën e zotit Obama, ky komb i copëtuar do të jetë në gjendje të bashkohet dhe të rregullojë veten.