Gjykata Kushtetuese rrëzoi edhe një President të Kosovës. Ajo konstatoi se Parlamenti e ka zgjedhur Behgjet Pacollin President në mënyrë jokushtetuese. Aktgjykimi nuk është shpallur ende, por besohet se shkelja ka të bëjë me mungesën e dy të tretave të deputetëve në seancë, e ndoshta edhe me faktin që nuk kishte kundërkandidat për President. Sidoqoftë, vendimi i Gjykatës e futi vendin në një krizë të re politike dhe institucionale.


Nga Bekim Greiçevci më 29 mars 2011 në ora 09:48

Vetëm pesë javë pas zgjedhjes President i Kosovë, Behgjet Pacolli ka marrë një goditje të rëndë nga Gjykata Kushtetuese, pavarësisht se ai nuk fajësohet për procedurat jokushtetuese gjatë zgjedhjes së tij në seancën e Parlamentit më 22 shkurt.



Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se zgjedhja e presidentit nuk është bërë në përputhje me Kushtetutën dhe parimet demokratike, por ende nuk ka zbuluar se çfarë do të kërkojë me anë të aktgjykimit që pritet të shpallet të mërkurën.

Vendimi i Gjykatës është marrë pas kërkesës së deputetëve të LDK’së, të mbështetur nga AAK’ja, që kërkuan interpretim të mënyrës së zgjedhjes së shefit të shtetit.



Kërkesa është pranuar pa asnjë votë kundër nga nëntë gjykatësit. Në favor të vendimit se ka pasur shkelje kushtetuese kanë votuar shtatë prej tyre, ndërsa dy nuk janë pajtuar me kolegët e tyre.



“Gjykata Kushtetuese, njëzëri, vendosi që të shpall kërkesën të pranueshme dhe, me shumice votash, me dy gjyqtarë mospajtues, shpall se Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nr. 04-V-04, lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, më datën 22 shkurt 2011, është jokushtetues pasi që është në kundërshtim me kërkesat e nenit 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe parimet demokratike të mishëruara aty”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.



Deputetja e LDK’së, Vjosa Osmani, e cila ka marrë pjesë në hartimin e dosjes që konteston procedurat e zgjedhjes së Presidentit, ka thënë të hënën për Express se të mërkurën do ta marrin vendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese.



“Aktualisht ne e kemi vetëm atë njoftimin që e keni edhe ju. Neve na është thënë sot se Gjykata ka vendosur për lëndën tonë dhe na ka treguar se është e pranueshme. Na kanë treguar se vendimi është marrë me 7 vota pro e 2 kundër. Po ashtu, na kanë thënë se vendimi me arsyetimin e plotë ku, natyrisht, do të përfshihen edhe masat që kërkohen me u ndërmarrë prej Kuvendit, do të na dorëzohet të mërkurën pasdite”, tha Osmani.



Ajo, po ashtu, tha se nuk mund të paragjykojë se çfarë mund të ndodhë tani, derisa nuk e kanë vendimin e plotë të Gjykatës.



“Si rregull, vendimi i plotë me arsyetime dhe me masat që duhen marrë duhet t’i dërgohet Kuvendit, meqenëse bëhet fjalë për Kuvendin”, tha Osmani.



Megjithëse ende nuk dihet se çfarë do të kërkojë Gjykata nga Kuvendi i Kosovës, gjasat më të mëdha janë që të kërkohet përsëritje e procedurave për zgjedhjen e Presidentit. Sipas këtij opsioni, duket se Pacolli do të detyrohet të dalë edhe një herë para votës së deputetëve, por tani me kushtet të cilat pritet t’i kërkojë Gjykata.



Nëse merren parasysh dy argumentet kryesore të cilat i ka deponuar LDK’ja, Gjykata supozohet se ka gjetur shkelje të Kushtetutës në dy çështje, ose së paku në njërën prej tyre: Gjykata mund të ketë vërejtje që Presidenti Pacolli është zgjedhur pa praninë e së paku 81 deputetëve, për shkak se seanca është bojkotuar nga të gjitha partitë opozitare dhe që nuk ka pasur kundërkandidat për President.



Argumenti tjetër i LDK’së ka qenë pauza mes raundit të dytë dhe të tretë të votimit për Pacollin, por ky nuk pritet të jetë i pranueshëm për Gjykatën, për shkak se kjo ka ndodhur edhe me presidentët e mëparshëm.



Sidoqoftë, Kosova duket se i ka thyer të gjitha rekordet lidhur vendimet për shkelje të Kushtetutës që implikon presidentët.



Para pesë muajsh, Fatmir Sejdiu qe detyruar të japë dorëheqje për shkak se Gjykata konstatoi se kishte bërë shkelje kushtuese duke mbajtur njëkohësisht dy poste publike.



Ky vendim e futi Kosovën në krizë të rëndë politike dhe institucionale, nga e cila nuk mundi të dalë deri në shkurt.



Aktgjykimi që do ta shpall Gjykata së shpejti ka të bëjë me një akt të Kuvendit të Kosovës, e jo të Pacollit.



Edhe nëse do t’i lejohet Pacollit të rikandidojë për president, sërish pikëpyetje e madhe mbetet se si do të sillet opozita - a do ta bojkotojë seancën në mënyrë që të mos sigurohet kuorumi prej dy të tretave të deputetëve.



Dilema të mëdha janë hapur edhe lidhur me fatin e koalicionit qeveritar ndërmjet PDK’së së Hashim Thaçit dhe Koalicionit për Kosovën e Re, që është udhëhequr nga Pacolli. Nuk dihet se çfarë do të bëjë Pacolli në raport me Qeverinë, nëse i pamundësohet të zgjedhet President i Kosovës.




Zgjedhja e Presidentit



Neni 86 i Kushtetutës të cilit i është referuar Gjykata Kushtetuese në vendimin që konteston procedurat për zgjedhjen e presidentit, më 22 shkurt.



1. Presidenti i Republikës së Kosovës zgjedhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë.

2. Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.

3. Secili shtetas i Republikës së Kosovës mund të nominohet si kandidatë për President të

Republikës së Kosovës, nëse ajo/ai siguron nënshkrimet e të paktën tridhjetë (30) deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidat për President të Republikës së Kosovës.

4. Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

5. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para,

organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjedhet President i Republikës së Kosovës.

6. Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh.