26 gusht 2016

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani organizoi në mjediset e Institucionit të Presidentit të Republikës një ceremoni të veçantë për të shprehur mirënjohjen institucionale për Ambasadorin e Republikës së Polonisë në Republikën e Shqipërisë, Sh.T.Z. Marek Jeziorski, i cili pas pak ditësh do të përfundojë misionin e tij diplomatik në Shqipëri.

Presidenti Nishani, në fjalën e mbajtur me këtë rast, evidentoi marrëdhëniet shumë të mira që ekzisojnë midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Polonisë, duke theksuar se ato janë tashmë të vendosura në themele të forta miqësie e bashkëpunimi dhe që udhëhiqen nga vizioni i përbashkët euroatlantik. "...ajo që vlerësoj më shumë në këto vitet e fundit është mbështetja që Polonia i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, veçanërisht në fushën e arsimit, kulturës, inovacionit, administratës publike dhe shumë fusha të tjera. Por marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë intensifikuar edhe në fusha të tjera si bujqësia, infrastruktura, mjedisi, mbrojtja etj, ku padyshim një rol të veçantë ka luajtur dhe Ambasadori Jeziorski." - u shpreh ndër të tjera Kreu i Shtetit gjatë fjalës së Tij.

Kreu i Shtetit vijoi më pas me vlerësimin e kontributit të dhënë nga zoti Jeziorski gjatë shërbimit diplomatik në Shqipëri, për promovimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe të vlerave historike e kulturore. Presidenti i Republikës e dekoroi zotin Marek Jeziorski me Titullin e lartë "Për merita të veçanta civile": "Në vlerësim të veprimtarisë së shquar diplomatike dhe kontributit të çmuar në avancimin e gjithanshëm të marrëdhënieve dypalëshe, nxitjen e bashkëpunimeve dhe shkëmbimeve kulturore mes dy vendeve dhe dy popujve, si dhe për mbështetjen e institucioneve shqiptare në kuadër të procesit të integrimit evropian"

Në vijim përshëndetja e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani në ceremoninë e dekorimit të Ambasadorit të Polonisë në Republikën e Shqipërisë, zotin Marek Jeziorski:

I nderuar Ambasador Jeziorski,

E nderuara Zonja Jeziorska,

I nderuar Nunci Apostolik,

Shkëlqesi Ambasadorë,

Zonja e Zotërinj,

Mirë se keni ardhur në Institucionin e Presidentit të Republikës dhe veçanërisht në këtë ceremoni të organizuar enkas për Ambasadorin e Polonisë, zotin Marek Jeziorski, i cili pas pak ditësh do të përfundojë misionin e tij diplomatik në Shqipëri.

Megjithëse jo shumë të shpeshta dhe jo aq sa do të dëshiroja, këto ceremoni vlerësimi të Ambasadorëve të huaj që shërbejnë në Shqipëri për një mandat diplomatik dhe që me pasion dhe profesionalizëm kontribuojnë për forcimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve mes vendeve, më ngjallin një emocion të veçantë.

Emocioni në këto raste nuk lidhet vetëm me ceremoninë dhe emrin e kontributin e personit që vlerësojme, por edhe me kohën, periudhën për të cilën e vlerësojmë.

Edhe në rastin e sotëm emocioni është i njëjtë, kur sjell në kujtesë që Ambasadori Jeziorski, pothuajse vetëm katër vjet më parë, më 26 tetor 2012, paraqiti Letrat Kredenciale pranë meje si President i Republikës së Shqipërisë.

Duket se koha për diplomatët fluturon shumë shpejt, duke i vënë ata në një garë të çuditshme me kohën dhe me paraardhësit e tyre, për të realizuar brenda një mandati të kufizuar në kohë disa prej aspekteve më kryesore të agjendës së tyre diplomatike në shërbim të forcimit të marrëdhënieve mes vendeve.

Sot jam gjithashtu i lumtur që kam mundësinë që në praninë tuaj të shpreh mirënjohjen, personale dhe institucionale, për kontributin e veçantë që Ambasadori Jeziorski ka dhënë për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, mes Shqipërisë dhe Polonisë në këto katër vjet.

Në katër vjet të misionit të tij diplomatik në Shqipëri, Ambasadori Jeziorski, ka pasur një veprimtari të shkëlqyer diplomatike dhe ka dhënë një kontribut të çmuar në avancimin e gjithanshëm të marrëdhënieve dypalëshe, si dhe ka mbështetur institucionet shqiptare në kuadrin e procesit të integrimit evropian.

Si një njohës i shkëlqyer i gjuhës shqipe, Ambasadori Jeziorski ka nxitur edhe më tej, marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve, duke i dhënë një dimension të ri veçanërisht bashkëpunimit kultoror. Prania e tij në mediat vendase me një shqipe për t'u pasur zili, ka depërtuar në memorien e shumë shqiptarëve dhe përfaqësuesve të medias lokale.

Gjatë këtyre viteve që jam në detyrë, kam ndjekur me shumë vëmendje marrëdhëniet diplomatike me Poloninë, të cilat janë shumë të mira dhe me një historik shumë domethënës.

Në muajin qershor të vitit 2014, pata mundësinë që të merrja pjesë në ceremonitë e organizimit të 25-vjetorit të rënies së komunizmit në Poloni, duke ndjerë nga afër eksperiencat e ngjashme që vendet tona kishin kaluar gjatë periudhës së komunizmit. Dikur anëtare të Paktit të Varshavës, sot anëtare aktive të NATO-s, duke ndarë vlera dhe interesa të përbashkëta shumë dimensionale.

Por ajo që vlerësoj më shumë në këto vitet e fundit është mbështetja që Polonia i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, veçanërisht në fushën e arsimit, kulturës, inovacionit, administratës publike, etj.. Por marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë intensifikuar edhe në fusha të tjera si bujqësia, infrastruktura, mjedisi, mbrojtja etj., ku padyshim një rol të veçantë ka luajtur dhe Ambasadori Jeziorski.

Zonja dhe zotërinj,

Gjatë qëndrimit katër vjeçar në Shqipëri, Ambasadori Jeziorski ka fituar statusin e një miku shumë të mirë, ndaj dhe për të gjitha këto arsye, por jo vetëm, dëshiroj që sot, në cilësinë e Presidentit të Republikës t'i shpreh mirënjohjen time dhe të shqiptarëve, duke e dekoruar me një prej medaljeve më të larta me të cilat ne shqiptarët nderojmë miqtë tanë të huaj.

Duke e falënderuar edhe njëherë Ambasadorin Jeziorski për të gjithë kontributin e dhënë, si dhe për pranimin e kësaj dekorate, dëshiroj t'i uroj atij personalisht suksese të mëtejshme në angazhimet e reja diplomatike, qofshin ato në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Varshavë apo në vende të tjera të botës, i bindur se ai do të mbetet gjithmonë një mik i mirë i shqiptarëve.

Një falënderim dëshiroj ta bëj edhe për bashkëshorten e Ambasadorit, zonjën Tereza Garbacik-Jeziorska, për mbështetjen që i ka dhënë gjatë misionit në Shqipëri, i bindur se edhe zonja Jeziorska, do të largohet nga Shqipëria me mbresa të shumta e të bukura.

Ambasador Jeziorski dhe zonja Jeziorska, ju uroj jetë të lumtur dhe sa më aktive edhe në të ardhmen.

Faleminderit !