18 gusht 2016

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani priti sot dhe zhvilloi një takim pune me përfaqësues të komunitetit të Himarës, me kërkesën e tyre, të cilët ngritën dhe parashtruan shqetësimet rreth problemeve të pronësisë në atë zonë.

Përfaqësuesit himarjotë pasi shprehën vlerësimin ndaj Presidentit të Republikës si garant i Kushtetutës për angazhimin e Tij personal dhe institucional në drejtim të zgjidhjes bazuar në të drejtën themelore të pronës dhe mbrojtjes së interesave të çdo qytetari shqiptar, bënë një përshkrim të situatës aktuale dhe zhvillimeve më të fundit dhe paraqitën qëndrimet dhe kërkesat e tyre e bashkësisë himarjote për çështjen e pronave në Himarë.

Kreu i Shtetit shqiptar i siguroi përfaqësuesit e komunitetit himarjot se do jetë një zë i fuqishëm duke përdoruar autoritetin e Tij publik dhe institucional duke nënvizuar se kjo është një çështje shumë e ndjeshme, zgjidhja e së cilës jo vetëm do të parandalojë konflikte të panevojshme sociale, por do të mundësojë dhe lehtësojë zhvillimin e mëtejshëm ekonomik. Në këtë pikë Presidenti theksoi se është i nevojshëm: "harmonizimi i politikave zhvillimore me ruajtjen dhe mbrojtjen e pasurive dhe trashëgimisë historike dhe kulturore".

Presidenti Nishani duke vënë në dukje përgjegjësinë institucionale, shprehu gjithashtu gatishmërinë e Tij maksimale për ndjekjen me vëmendje të procesit dhe problematikave të mëtejshme që lidhen me çështjen e pronave, e cila ka të bëjë "me respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut".