14 korrik 2016

Kreu i Shtetit shqiptar priti sot në një takim të veçantë në Zyrën e Tij atleten Luiza Gega, e cila u shpall pak ditë më parë nënkampione e Evropës në Kampionatin Evropian të Atletikës që u mbajt në Amsterdam të Holandës, së bashku me trajnerin e saj Taulant Stërmasi.

Gjatë këtij takimi të përzemërt Presidenti Nishani, pasi e përgëzoi atleten shqiptare për rezultatet e shkëlqyera të arritura në garat ndërkombëtare, e siguroi zonjën Gega dhe trajnerin e saj për rritjen e vëmendjes dhe mbështetjen nga institucionet shtetërore në mënyrë që sporti shqiptar të vazhdojë të përfaqësohet në mënyrë sa më dinjitoze dhe krenare anembanë botës.