TIRANË- Presidenti i Republikës Bujar Nishani priti në një takim Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë, z. Necdet Ozel.

Zyra e presidencës bën me dije se gjatë takimit u bisedua për marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve tona duke i kushtuar vëmendje të veçantë bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.

Presidenti Nishani pasi falenderoi Turqinë për mbështetjen në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe Forcat e Armatosura të Turqisë për mbështetjen që i kanë dhënë Forcave të Armatosura të Shqipërisë e garantoi zotin Ozel se Shqipëria do të jetë një partner i besueshëm i aleancës dhe i Turqisë.

Më tej, Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin e Turqisë për paqen dhe stabilitetin në rajon e në botë dhe shtoi se partneriteti shqiptaro-turk dhe bashkëpunimi ndërmjet dy ushtrive tona ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë efektiv për paqen dhe sigurinë në Ballkan dhe më gjerë.

Nga ana e tij, Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Turqisë vlerësoi kontributin e Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon dhe garantoi se mbështetja për Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe shkëmbimi i eksperiencave në fushën e mbrojtjes do të zhvillohet edhe më tej përmes projekteve dhe stërvitjeve të përbashkëta.

Të dy bashkëbiseduesit shprehën bindjen se Shqipëria dhe Turqia si dy vende mike dhe aleate do të forcojnë bashkëpunimin dhe partneritetin bazuar në një miqësi tradicionale dhe interesa të ndërsjella gjithmonë në funksion të stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit. 

(e.m/BalkanWeb)