5 shtator 2016

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani, në kuadrin e pjesëmarrjes në ceremonitë e zhvilluara në Vatikan për shenjtërimin e Nënë Terezës, u takua sot edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin, si dhe ndoqi Meshën e Falënderimeve të kryesuar nga Kardinali, për Nënë Terezën, vetëm një ditë pas shpalljes si Shenjtore.

Presidenti Nishani, në takimin e veçantë me Kardinalin Parolin, shprehu mirënjohjen e thellë veçanërisht të komunitetit katolik shqiptar për vemendjen e madhe që Vatikani i ka kushtuar rimëkëmbjes së tyre shpirtërore dhe sociale pas rënies së komunizmit në Shqipëri. Një falënderim të veçantë, Kreu i Shtetit e shprehu për meshën e një dite më parë të kryesuar nga Papa Françesku për shenjtërimin e Nënë Terezës, si dhe për vendimin e Atit të Shenjtë për lumturimin e 38 klerikëve shqiptarë të martirizuar për besimin e tyre nga regjimi mizor komunist.

Kreu i Shtetit bashkëbisedoi me Kardinalin Parolin edhe për zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në Bashkimin Evropian, duke theksuar rolin e Shqipërisë në rajon dhe duke evidentuar progresin e bërë në rrugën e afrimit me Bashkimin Evropian. "Jemi të ndërgjegjshëm për sfidat serioze me të cilat përballet sot Unioni, por ne jemi të vendosur për të vijuar me reformat e nevojshme që do t'i mundësojnë vendit integrimin në Bashkimin Evropian, i cili mbetet projekti më madhor aktual i shqiptarëve." - u shpreh Presidenti Nishani.

Duke u ndalur në çështjen e Kosovës, Presidenti Nishani vlerësoi vëmendjen e veçantë që Selia e Shenjtë i kushton marrëdhënieve me Kosovën dhe duke vlerësuar gjithashtu procesin e negociatave dhe të pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë, shprehu besimin se shumë shpejt edhe Selia e Shenjtë do të marrë një vendim për njohjen e pavarësisë së saj, në shërbim të mëtejshëm të paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit dhe Evropës Juglindore.

Nga ana e tij, Kardinali Parolin vlerësoi harmoninë fetare në Shqipëri, duke e konsideruar si një shembull të shkëlqyer për një Evropë pluraliste dhe multikulturore, si dhe e siguroi Presidentin Nishani për vijimin e vëmendjes së Selisë së Shenjtë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Më pas, Presidenti Nishani ndoqi Meshën e Falënderimit për nder të Shën Terezës së Kalkutës, të zhvilluar në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku ishin të pranishëm qindra pelegrinë shqiptarë dhe nga e gjithë bota.