9 gusht 2016

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani zhvilloi një takim pune konsultues me krerët e grupeve parlamentare dhe përfaqësuesit e autorizuar prej tyre për të diskutuar mbi procesin ligjor të përzgjedhjes me anë të shortit të anëtarëve të Këshillit e Emërimeve të Drejtësisë.

Në takim morën pjesë kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste zoti Gramoz Ruçi, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike zoti Edi Paloka, Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim zoti Luan Rama si dhe Kryetari i Partisë Republikane zoti Fatmir Mediu, të cilët shprehën vlerësimin dhe mbështetjen ndaj Presidentit të Republikës për angazhimin e Tij maksimal në zbatim të plotë të Kushtetutës dhe ruajtje të autoritetit e kompetencave kushtetuese, si dhe parashtruan idetë dhe qëndrimet e tyre për këtë çështje.

Kreu i Shtetit shqiptar, pasi i falënderoi përfaqësuesit e grupeve parlamentare për mendimet dhe pikëpamjet e paraqitura, vuri në dukje rëndësinë e zbatimit rigoroz të Kushtetutës dhe afateve ligjore, duke theksuar "domosdoshmërinë e zhvillimit të një procesi përzgjedhjeje me short të anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi sa më të mirë të mundshëm dhe të gjykuar pozitivisht e të mirëpritur nga ligjbërësit".