11 mars 2011



Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në mesditë në Presidencë drejtuesit e Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, Kryetarin e saj, zotin Adem Allçi, Sekretarin e Përgjithshëm, zotin Besim Ndregjoni, si dhe përfaqësues të tjerë të Shoqatës si dhe Drejtuesin e Qendrës Shqiptare për Rehabilitimin e Traumës dhe Torturës, zotin Adrian Kati.



Drejtuesit e Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë falenderuan Kreun e Shtetit për vëmendjen e vazhdueshme në përkujtimin e sakrificave sublime të mjaft të dënuarve e të ekzekutuarve gjatë sistemit komunist dhe mbështetjen e fuqishme në përpjekjet për nxjerrjen në dritë të të vërtetave të hidhura të regjimit diktatorial. Shembujt më të fundit të kësaj vëmendjeje dhe kujdesi të veçantë janë dekorimet e Presidentit të Republikës për të përndjekurit dhe viktimat e diktaturës komuniste.



Me këtë rast, përfaqësuesit e nderuar të të përndjekurve politikë shprehën mirënjohjen e thellë për kujdesin e veçantë të Presidentit të Republikës në çeljen e Fotoekspozitës “Demokracia nuk ndërtohet mbi harresën”, në mjediset e Presidencës, e cila qëndroi e hapur për ditë të tëra dhe u vizitua nga njerëz të moshave e profesioneve të ndryshme.



Presidenti Topi, nga ana e tij, i siguroi drejtuesit e Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë dhe të Qendrës Shqiptare për Rehabilitim e Traumës dhe Torturës se do të vazhdojë përherë të shfaqë mbështetjen e tij të plotë institucionale dhe njerëzore për të përndjekurit politikë, duke u shprehur se do të bëjë çdo përpjekje brenda kuadrit ligjor dhe kushtetues për përfaqësimin dhe integrimin e mëtejshëm të kësaj shtrese në mbarë spektrin politik dhe shoqëror të vendit.