21 korrik 2011



Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në Presidencë një përfaqësi të Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm i saj, Besim Ndregjoni, si dhe drejtues të tjerë të degëve të Shoqatës në Shkodër, Berat e Tiranë.



Përfaqësuesit e ish-të përndjekurve politikë shprehën mirënjohjen për vëmendjen e kushtuar dhe mbështetjen e vazhdueshme institucionale e personale të Kreut të Shtetit për shtresën e ish-të përndjekurve politikë, sidomos për kujdesin e veçantë kushtuar vlerësimit të të përndjekurve dhe viktimave të diktaturës komuniste. Zoti Ndregjoni dhe drejtuesit e degëve të Shoqatës shprehën njëkohësisht edhe “bindjen e palëkundur në përkushtimin dhe në përkrahjen e mëtejshme të Institucionit të Presidentit, brenda kornizave kushtetuese dhe ligjeve në fuqi për rehabilitimin dhe integrimin e plotë të tyre në të gjitha fushat e jetës dhe shoqërisë demokratike shqiptare.”



Gjithashtu, përfaqësuesit e ish-të përndjekurve politikë parashtruan një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me integrimin e plotë të tyre në jetën shoqërore, që nga dëmshpërblimi financiar për ish-të përndjekurit, vijimi i procesit të kërkimit të eshtrave të të ekzekutuarve apo i nxjerrjes në dritë të fakteve e të vërtetave të dhimbshme të regjimit komunist, e deri tek dënimi i së kaluarës diktatoriale dhe i simboleve të saj të urryera.



Presidenti Topi nga ana e tij, pasi ritheksoi se do t’i mbështesë gjithmonë personalisht dhe institucionalisht, duke ushtruar të gjitha kompetencat që i jep Kushtetuta dhe ligjet në fuqi, i siguroi se shteti shqiptar dhe institucionet e tij do të kenë përherë një vëmendje dhe kujdes të veçantë e të merituar për të gjithë ish-të përndjekurit politikë dhe përmbushjen e nevojave të tyre.